Sfida e organizimit të zgjedhjeve në pandemi, parashikohet rritje e infektimeve

  • E.K /
  • 23 December 2020 - 15:24
 Sfida e organizimit të zgjedhjeve në pandemi, parashikohet rritje e infektimeve

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që brenda 40 ditëve vendi të shkojë në zgjedhje. Mbajtja e zgjedhjeve po vlerësohet se mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen me pandeminë COVID-19, derisa numri i rasteve të reja të infektuara është në rënie.

Edhe pse situata me pandeminë COVID-19 po vlerësohet të jetë më e qetë për shkak të uljes së numrit të rasteve të reja të infektuara, me shkuarjen në zgjedhje, situata thuhet se mund të na dalë jashtë kontrollit.

Kësisoj, institucionet publike shëndetësore do të vazhdojnë të jenë të mbushura me pacientë, e punëtorët shëndetësorë do të vazhdojnë të jenë të ngarkuar.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se zgjedhjet mund të shkaktojnë shumë probleme në situatën me pandeminë.

Ai është shprehur se edhe pse numri i rasteve të reja me COVID-19 është në rënie, me mbajtjen e zgjedhjeve numri i rasteve të infektuara mund të rritet.

“Ngarkesa e punëtorëve shëndetësorë është shumë e madhe edhe pse numri i të infektuarve është në rënie, por me siguri do të ketë rritje të numrit të të infektuarve”, ka thënë ai.

Derisa ka deklaruar se zgjedhjet do të shkaktojnë vështirësi në situatën me pandeminë, Syla ka thënë se duhet që sa më shpejt të votohet buxheti për vitin e ardhshëm, sepse, sipas tij, kjo do t’i ndihmonte punëtorët shëndetësorë.

“Këto zgjedhje nuk i kemi merituar kështu, dhe do të na shkaktojnë shumë probleme. Po shpresoj që situata të mos del nga kontrolli, por mbetet të shohim. Andaj unë edhe kam kërkuar që edhe buxheti të miratohet sa më shpejtë që profesionistët shëndetësorë të bëjnë punën e tyre”, ka shtuar ai.

Ndërsa, nënkryetari i Odës së Mjekëve, Naser Gjonbalaj, ka thënë se edhe nëse situata del jashtë kontrollit, mjekët do ta kryejnë detyrën e tyre.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se punëtorët shëndetësorë tashmë janë të ngarkuar për shkak të pandemisë.

“Gjendja me pandeminë vazhdon të jetë e njëjtë, momentalisht është zvogëluar numri i të infektuarve. Ndërsa, kemi mbi 120 mjekë të infektuar. Mirëpo, punëtorët shëndetësorë janë të përgatitur, do ta kryejnë punën me të gjitha kapacitetet që kanë”, ka shtuar ai.

Situata me pandeminë pritet të jetë sfiduese edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se këto zgjedhje do të jenë sfiduese për faktin se KQZ-ja do të duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.

“Jemi në kohë pandemie dhe sigurisht këto zgjedhje janë sfiduese për faktin se KQZ-ja krahas përgatitjeve teknike për organizimin e këtyre zgjedhjeve duhet të merret edhe me zbatimin e masave apo rekomandimeve të institucioneve shëndetësore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor”, ka deklaruar ai.

Derisa numri i pacientëve të infektuar me COVID-19 thuhet se mund të rritet ditëve në vazhdim, sipas një raporti të siguruar nga Express, vetëm gjatë ditës së sotme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale janë të shtrirë 729 pacientë, nga të cilët 11 janë në respiratorë, 29 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 528 me oksigjen.

Ndërsa, në kohën kur vendi po përgatitet për zgjedhje, disa shtete janë duke u ballafaquar me variantin e ri të virusit COVID-19, i cili vlerësohet se po përhapet 70 për qind më shpejt sesa varianti aktual.

Si pasojë, Qeveria ka marrë vendim për anulimin e të gjitha fluturimeve nga Kosova për në Britani të Madhe.

(Kosova Sot Online)