Qeveria e painformuar, në veri vazhdon vaksinimi i qytetarëve me vaksina të ardhura nga Serbia

  • E.K /
  • 26 December 2020 - 13:18
 Qeveria e painformuar, në veri vazhdon vaksinimi i qytetarëve me vaksina të ardhura nga Serbia

Përkundër që institucionet e Kosovës s’janë informuar për vaksinimin në veri, ai po vazhdon edhe sot në dy komuna me shumicë serbe.

Në Zveçan, përkundër motit të keq, qytetarët mbi 65 vjeç u mblodhën edhe sot në Qendrën Shëndetësore të kësaj komune për ta marrë vaksinën që ua solli Qeveria e Serbisë.

Mirënjohje ndaj shtetit të Serbisë dhe presidentit të tij, Aleksandar Vuçiq u shpreh nga drejtori i Qendrës Shëndetësore në Zveçan, Ivan Vasiq, i cili e cilësoi vaksinimin si një gjë të shkëlqyeshme për të gjithë ata që jetojnë në këtë komunë.

“Vaksinimi kryesisht do të mbulojë njerëzit e moshuar me sëmundje shoqëruese të cilët janë gjithashtu grupi më i rrezikuar nga virusi COVID-19. Fillimi i vaksinimit është një dritë metaforike në fund të tunelit, sepse së bashku me respektimin e masave të përcaktuara dhe vaksinimin, ne shpresojmë që më në fund të jemi në gjendje të për ta kontrolluar këtë murtajë që ka okupuar të gjithë botën në dhjetë muajt e fundit”, tha Vasiq.

Pas qyteteve më të mëdha në Serbi, doza të vaksinës Pfizer mbërritën të premten në veri të Kosovës, ku filloi vaksinimi i qytetarëve më të vjetër se 65 vjeç.

Përveç Zveçanit, vaksinat kundër virusit COVID-19 janë planifikuar të merren sot edhe nga banorët e moshuar të Zubin Potokut.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës ka reaguar sot lidhur me këto zhvillime, duke u shprehur se ata dhe as Policia kufitare nuk kanë informacione për këtë, ndërsa kanë thënë se do të marrin masa ndaj atyre që i futën vaksinat në Kosovë.

(Kosova Sot Online)