ShBA-ja u shet miliarda dollarë armë shteteve të Lindjes së Mesme

  • G.G /
  • 30 December 2020 - 12:21
ShBA-ja u shet miliarda dollarë armë shteteve të Lindjes së Mesme

Departamenti i Shtetit i ShBA-së e ka miratuar shitjen e bombave në vlerë të 290 milionë dollarëve në Arabinë Saudite si pjesë e një vargu marrëveshjesh për shitblerjen e armëve me pushtetet në Lindjen e Mesme gjatë javëve të fundit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Kritikët thonë se këto shitje po çohen përpara pavarësisht kundërshtimit të gjerë nga ligjvënësit dhe publiku ndaj përkrahjes ushtarake për disa shtete shkaku i historisë së të drejtave të njeriut dhe, në rastin e Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, për shkak të numrit të madh të civilëve të vrarë në luftën e Jemenit.

Agjencia për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes, e cila është pjesë e Departamentit të Shtetit, të martën e miratoi shitjen e bombave GBU-39 në Arabinë Saudite. Në të njëjtën ditë u miratua edhe shitja e helikopterëve në Kuvajt me çmim prej 4 miliardë dollarësh, shitja e pajisjeve kundër sulmeve raketore për aeroplanin e presidentit egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, me vlerë prej 104 milionë dollarësh, dhe pajisje për goditje të saktë për aeroplanët ushtarakë të Egjiptit, me çmim prej 65.6 milionë dollarësh.

Të mërkurën, një organizatë në Nju Jork tha se është duke planifikuar që ta padisë sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, për propozimin e tij rreth shitjes së aeroplanëve luftarakë dhe dronëve të avancuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, me çmim prej 65.6 milionë dollarësh, duke thënë se administrata ka dështuar që ta vlerësojë ndikimin e këtij propozimi ndaj sigurisë në ShBA dhe në paqen e botës.

Sidoqoftë, Departamenti i Shtetit tha se këto shitje përkrahin politikën e jashtme të ShBA-së dhe objektivat e sigurisë kombëtare duke ofruar ndihmë për përmirësimin e sigurisë së një vendi mik, që, siç thuhet, vazhdon të jetë forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe rritjen ekonomike në Lindjen e Mesme.

Sa i përket shitjes së armëve për Emiratet e Bashkuara Arabe, administrata pretendoi se ia ka mundësuar këtij shteti parandalimin e sjelljes agresive dhe kërcënimeve të Iranit, shkruan The Guardian.

(Kosova Sot Online)