Tragjike: Zjarr në një spital të Indisë, vdesin dhjetë foshnja

  • S.A /
  • 09 January 2021 - 09:04
Tragjike: Zjarr në një spital të Indisë, vdesin dhjetë foshnja

Dhjetë foshnja vdiqën  në repartin e maternitetit të një spitali në rajonin Maharashtra të Indisë të shtunën në mëngjes për shkak të shpërthimit të një zjarri.

Stafi i spitalit arriti t’i shpëtonte shtatë foshnja të tjera nga kjo fatkeqësi, por nuk arritën të bënin më shumë shkaku i përhapjes së flakëve, tha mjeku Pramod Khandate.

Sipas raportimeve, mosha e foshnjave të vdekura është nga disaditëshe në tremuajshe, shkruan The Guardian.

“Shkaktari i zjarrit ende nuk është i njohur, por stafi ynë e shoi atë sa më shpejt që mundi. Tymi e shkaktoi vdekjen e foshnjave”, tha Khandate.

Zjarrfikësit ia dolën që ta parandalojnë përhapjen e zjarrit në repartet tjera të spitalit dhe pacientët tjerë u vendosën në zonë të sigurt. Autoritetet urdhëruan që menjëherë të fillojnë hetimet për këtë rast.

Raste të ngjashme në spitalet e Indisë kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Në gusht të vitit të kaluar, tetë pacientë të koronavirusit vdiqën nga një zjarr në një spital të Ahmedabadit, ndërsa në nëntorin që shkoi, pesë pacientë të tjerë vdiqën nga një zjarr në një klinikë në Rajkot.

Për shkak të këtyre incidenteve, Gjykata Supreme e Indisë ka kërkuar që të hartohet një raport për sigurinë e spitaleve të kushtuara pacientëve me koronavirus.

(Kosova Sot Online )