Donald Trump poston nga llogaria e qeverisë, Twitter-i ia fshin postimet

  • E.K /
  • 09 January 2021 - 11:31
Donald Trump poston nga llogaria e qeverisë, Twitter-i ia fshin postimet

Twitter-i të premten i fshiu nga platforma postimet e reja të presidentit në largim, Donald Trump, i cili e shfrytëzoi llogarinë zyrtare të qeverisë amerikane pas bllokimit të llogarisë personale.

Përpos fshirjes së postimeve nga llogaria zyrtare, Twitter-i e pezulloi edhe llogarinë e fushatës së Trumpit pas bllokimit të përhershëm të llogarisë personale të tij.

Masa e pezullimit të llogarisë personale, sipas zyrtarëve të këtij rrjeti, u mor për shkak se presidenti në largim i ka thyer rregullat e përdorimit dhe ka nxitur dhunë.

“Ne nuk do të heshtim. Twitter-i s’ka lidhje me lirinë e shprehjes”, shkroi Trumpi në postimet që tashmë i janë fshirë, shkruan Reuters.

Ndryshe, presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara vazhdimisht e ka përdorur këtë rrjet social për të hedhur sulme ndaj kundërshtarëve apo për të përhapur të dhëna të pasakta apo të pavërtetuara dhe jo rrallë ka përdorur gjuhë të vrazhdë.

Për pasojë, disa prej postimeve të tij së fundi u është bashkëngjitur një paralajmërim për të dhëna të pasakta.

(Kosova Sot Online)