Masa më të rrepta për ata që shkojnë nga Kosova në Gjermani

  • A.P /
  • 24 January 2021 - 10:42
Masa më të rrepta për ata që shkojnë nga Kosova në Gjermani

Gjermania i ka shtuar kontrollet kufitare nga sot pasi të premten ka përcaktuar një grup të ri me më shumë se njëzet vende të konsideruara me “rrezikshmëri të lartë”, përfshirë Kosovën, për të cilën parashihen kufizime më të rrepta për të hyrë në territorin gjerman. Udhëtarët nga vendet që kanë shënuar më shumë se 200 raste të reja për 100,000 banorë mund të hyjnë në Gjermani vetëm nëse paraqesin një test negativ PCR, shkruan agjencia spanjolle e lajmeve, EFE.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, policia kontrollon sistematikisht në aeroporte dhe porte që udhëtarët ta kenë testin negativ me vete, ndërsa në kufijtë tokësorë drejt anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian ku nuk ka kontrolle kufitare, kryhen inspektime të rastit.

Kështu, në aeroportin e Frankfurtit, një nga qendrat kryesore të trafikut ajror në Evropë, kryesisht kryhen kontrolle për deklaratën me shkrim të hyrjes në vend dhe testin negativ.

Këto inspektime, të cilat kryhen direkt në aeroplan, do të ndikojnë parashikueshëm në 17 fluturime nga pesë vende për në këtë aeroport këtë të dielë, shkruan gazeta “Welt”.

Gjithashtu në aeroportin e Mynihut policia ka rritur praninë e tyre me të njëjtin qëllim.

Në grupin e shteteve që preken nga këto masa, përveç Kosovës, hyjnë edhe Shqipëria, Andorra, Bolivia, Bosnja, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sllovenia, Shtetet e Bashkuara, Estonia, Irani, Izraeli, Kolumbia, Letonia, Libani, Lituania, Maqedonia e Veriut, Meksika, Mali i Zi, Panamaja, Portugalia, Republika Çeke, Serbia dhe Palestina.

Autoritetet shëndetësore gjermane raportuan së fundmi 12,257 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, ndërsa u regjistruan 349 vdekje, sipas të dhënave nga virologjia e Institutit Robert Koch.

(Kosova Sot Online)