Bora e shiu shkaktojnë ndërprerje të rrymës e ujit

  • E.K /
  • 26 January 2021 - 11:23
Bora e shiu shkaktojnë ndërprerje të rrymës e ujit

Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës kanë ndikuar që në disa rajone në vend të ketë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm. Lidhur me këtë, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka njoftuar se reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës janë duke bërë që në disa zona të ketë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Sipas KEDS-it, zonat më të prekura aktualisht janë Distrikti i Pejës, Mitrovicës dhe pjesërisht Prishtina.

Ata bëjnë të ditur, se kanë angazhuar rreth 400 punëtorë të terrenit për të sanuar dëmet që po shkaktohen në rrjet si pasojë e faktorëve atmosferik.

“Ekipet e KEDS janë duke punuar pandërprerë që nga orët e vona të ditës së djeshme në mënyrë që sa më parë të stabilizohet furnizimi me energji elektrike. Mirëpo, kushtet atmosferike janë duke e vështirësuar tej mase intervenimin, pasi që në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë me makineritë e rënda, për shkak se terreni është i pakalueshëm nga reshjet. Kësisoj, ata po detyrohen që rregullimin e prishjeve ta bëjnë duke bartur fizikisht të gjithë materialin e nevojshëm”, thuhet në njoftim.

Në fund, sipas njoftimit KEDS-i fton të gjithë konsumatorët e zonave të prekura që në rast se shohin avari në rrjet, assesi të mos i afrohen, por të thërrasin menjëherë Qendrën e Thirrjes në numrin pa pagesë 0800 79 100 apo të na shkruajnë përmes rrjeteve sociale.

Edhe “KRU Prishtina” ka njoftuar konsumatorët, se për shkak të situatës së krijuar së fundmi nga niveli i lartë i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i pa përpunuar për tu trajtuar pastaj për pije ( ITUP Shkabaj / që si pasojë është jashtë funksionit ), është i pamundur trajtimi i ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojnë.

“Në mënyrë që të bëjmë shpërndarje të barabartë të ujit për të gjithë konsumatorët dhe që, fokusi i mosfurnizimit me ujë të mos jenë vetëm zonat që furnizohen nga ITUP Shkabaj, ju njoftojmë me orarin e reduktimeve për këto zona:

Nga ora 11:00-16:00 me reduktime nga dita e sotme do të jenë: Bregu i Diellit, banesat e bardha, Mati 1, Zllatari, Kolovica, Sofalia, Tasligje, Ulpiana, Kodra e Trimave, Arbëria, Lagjja e Spitalit, lagjja e Universitetit, Konviktet, Hajvalia, Graqanica dhe Veterniku.

Ndërsa, duke filluar nga ora 12:00-16:00 reduktime të ujit do të kenë vetëm pikat e larta të qendrës së Prishtinës, Dardania, Lakrishtja, lagjja Pejton dhe Kalabria.

Ndërsa, me reduktime nga ora 11:00-17:00 do të jenë të gjitha fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik-Podujevë”, thuhet në njoftimin e “KRU Prishtina”.

Më tej në njoftim thuhet se kjo po realizohet për t’iu mundësuar furnizim zonave më të prekura nga turbullira e ujit në kanalin e Ibrit.

(Kosova Sot Online)