Vazhdon izolimi i Donald Trumpit, YouTube ia bllokon llogarinë për kohë të pacaktuar

  • E.K /
  • 27 January 2021 - 12:06
Vazhdon izolimi i Donald Trumpit, YouTube ia bllokon llogarinë për kohë të pacaktuar

Faqja e famshme për video, YouTube, ia ka bllokuar për kohë të pacaktuar llogarinë ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Vendimi për bllokim për periudhë të pacaktuar erdhi një javë pasi gjiganti i teknologjisë tha se do ta zgjasë afatin e bllokimit të kanalit të Trumpit, që ka gati tre milionë ndjekës, shkruan France24.

Kompania që është në pronësi të korporatës Google Inc. Është përballur me kritika për reagimet e ngadalshme pas dhunës në ndërtesën e Capitol-it në Uashington në fillim të janarit dhe për përhapjen e teorive konspirative përmes kësaj platforme.

“Pas shqetësimeve për potencialin e vazhdueshëm për dhunë, kanali i Donald J Trumpit do të mbetet i pezulluar”, tha një zëdhënës i faqes YouTube për gazetën Politico.

Kompania gjithashtu tha se kanali i avokatit të Trumpit, Giuliani, nuk do të mund të shfrytëzohet për të fituar të holla nga videot për shkak të shkeljes së vazhdueshme të rregullave përmes publikimit të të dhënave mashtruese rreth zgjedhjeve në ShBA.

Sipas zyrtarëve të faqes, Giuliani do të ketë mundësi që të paraqesë ankesë brenda 30 ditëve, nëse ofron dëshmi që këto probleme janë rregulluar.

(Kosova Sot Online)