Avdullah Hoti publikon letrën dërguar Blinken: Marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet bazuar në njohje reciproke

  • E.K /
  • 28 January 2021 - 11:07
Avdullah Hoti publikon letrën dërguar Blinken: Marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet bazuar në njohje reciproke

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar letër urimi sekretarit të ri të shtetit amerikan, Antony Blinken.

Me këtë rast, derisa e ka uruar atë për pozitën e re, është shprehur i gatshëm për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Kosovës dhe Serbisë.

“Z. Sekretar, ne jemi të përkushtuar të punojmë me Ju për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje do të forconte stabilitetin rajonal dhe do t’u mundësonte të dy vendeve të realizonin potencialin e tyre të plotë të bashkëpunimit”, thuhet mes tjerash në këtë letër.

I nderuari Z. Blinken,

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, urime për konfirmimin tuaj në postin e Sekretarit të Shtetit.

U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rikonfirmimin e mbështetjes për Republikën e Kosovës, si një shtet i pavarur, shumetnik, demokratik dhe i integruar plotësisht në strukturat Euro-Atlantike.

Sekretar, ne jemi të përkushtuar të punojmë me Ju për të përshpejtuar përpjekjet për të arritur marrëveshjen e normalizimit, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të bazuar në njohjen reciproke. Kjo marrëveshje do të forconte stabilitetin rajonal dhe do t’u mundësonte të dy vendeve të realizonin potencialin e tyre të plotë të bashkëpunimit.

Kosova është e përkushtuar të punojë me ju, si dhe me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, për fuqizimin e sundimit të ligjit, krijimin e stabilitetit, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe zhvillimin e demokracisë, si një vend plotësisht i gatshëm për procesin e integrimit Euro-Atlantik.

Shkëlqesia Juaj, ju lutemi pranoni konsideratën time më të lartë.

Sinqerisht,

Avdullah Hoti

Kryeministri i Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)