Valdete Daka satelit i programuar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, të ndëshkohet me shkarkim nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani

Valdete Daka satelit i programuar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa, të ndëshkohet me shkarkim nga presidentja në detyrë Vjosa Osmani

Hajrullah Tërnava

  • 28 January 2021 - 07:42

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Duke analizuar të gjitha këto manipulime që ndodhën me listat e pa certifikuara të partive politike në KQZ, me të drejtë shtrohet pyetja se edhe çfarë ndërhyrjesh tjera flagrante duhet të ndodhin kundërligjshëm në këtë proces të përgatitjes së zgjedhjeve nga ana e Valdete Dakës për të shërbyer si argument i fuqishëm që asaj t’i merret mandati tanimë i inkriminuar i kryetares së KQZ-së nga ana e Presidentes në detyrë, dhe njëherë të sabotohet bashkëpunimi me KQZ-në edhe nga partitë politike të atakuar e të dëmtuara në këtë proces për shkak të sjelljes së saj arrogante e të telekomanduar nga mentorët e saj jashtë KQZ-së.

-Politikanët të cilët kanë hyrë në lojnat politike, nga lakmitë e tyre, të cilat ua kanë imponuar të fortit e shtetit, dhe që i kanë pasur përfitimet e tyre si të dëgjueshëm, ata tani duhet ti luajnë lojërat deri në fund sipas kërkesave të shefave të tyre, sepse ata qysh më parë janë të shantazhuar nga këta të mëdhenjtë e shtetit, dhe nëse ndodhë që të dalin jashtë kontrollit të tyre, keq do ta pësojnë. Prandaj tani e kemi edhe këtë situatë të tillë kaotike dhe të turpshme në KQZ sa që medoemos duan të shpikin dhe të argumentojnë pengesën e mos marrjes pjesë të Albin Kurtit në këto zgjedhje, dhe të disa viktimave tjera që mos të mbetet i vetëm Albini dhe sa për një justifikim për opinionin. 

Prandaj në këtë situatë të krijuar deri më tani kryetarja e KQZ-së Valdete Daka është në gjendje të ndërmerr veprime të ndryshme skandaloze. Kjo u pa edhe me ndërhyrjen e fundit në pavarësinë e PZAP-së, e që po shërben si satelit besnik e i përkryer i interesave të Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Kjo është një arsye pse duhet për ta iniciuar seriozisht procedurën shkarkimit. Një ditë para shpalljes se vendimit të PZAP-së lidhur me ankesat e partive politike për mos certifikim, Valdete Daka i ka dhënë instruksione PZAP-it servil se di të bëjë zgjidhjen, interpretimin e vendimmarrjes sipas preferencave të saj dhe të shefave që ajo u shërben që nga 2010-ta.

Qëllimi final dihet cili ishte , Eliminimi me çdo kusht e me çdo çmim i Albin Kurtit nga lista kandidates për deputet. Në letrën e dërguar PZAP-s, Daka i ka propozuar PZAP-it që ta obligojë KQZ-në për ta certifikuar listën e VV-së, pa Kurtin dhe të tjerët te dënuar. Kjo kërkesë ka shkuar në PZAP mbi bazën e një komunikimi intern në mes të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve specifikisht lidhur me ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, për mos certifikim të listës së kandidatëve për deputetë. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në përgjigjen ndaj PZAP-it, ka propozuar që ankesa e VV-së të aprovohet pjesërisht, duke i certifikuar vetëm kandidatët që i përmbushin kushtet ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të pa certifikuar do të mbeteshin pesë kandidatë të VV-së, përfshirë edhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurtin. Tani si shpresë e vetme e së drejtës në Kosovë, është institucioni gjyqësor Gjykata Supreme nga e cila duhet të vendoset për të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 14 shkurtit të kandidatëve të tri partive, që deri tash iu ka ndalua pjesëmarrja në zgjedhje, e sidomos kandidatit për kryeministër të partisë së LVV Albin Kurti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".