Interesante: Më 14 shkurt ka zgjedhje edhe vendi që është krahasuar me Kosovën

  • E.K /
  • 29 January 2021 - 15:32
Interesante: Më 14 shkurt ka zgjedhje edhe vendi që është krahasuar me Kosovën

Përpos në Kosovë, zgjedhje të përgjithshme më 14 shkurt do të ketë edhe në një pjesë tjetër të Evropës, që shpesh është përmendur si krahasim me Kosovën dhe si shkaktar që një shtet nuk e ka njohur pavarësinë e vendit tonë.

Bëhet fjalë për Katalonjën, rajon autonom në pjesën verilindore të Spanjës. Ishte planifikuar që këto zgjedhje të shtyhen  për 30 maj për shkak të pandemisë, por ato do të mbahen më 14 shkurt pasi një gjykatë vendosi që ta refuzojë propozimin e qeverisë.

Këto zgjedhje po vlerësohen si test i rëndësishëm për lëvizjen separatiste, shkruan Reuters.

Zgjedhjet e fundit në Katalonjë janë mbajtur në vitin 2017. Pas tyre, koalicioni qeveritar u formua nga partia Së Bashku për Katalonjën dhe E Majta Republikane Katalonase. Megjithatë, këto parti kanë pasur mosmarrëveshje mes vete.

Qeveria rajonale u destabilizua edhe më shumë pasi Gjykata Supreme e Spanjës e largoi nga detyra presidentin Quim Torra në shtator për shkak të moszbatimit të një urdhri të bordit zgjedhor.

Ndonëse vala e tretë e pandemisë duket se është tkurrur ditëve të fundit në Katalonjë, atje ende ka masa kufizuese për bizneset, baret dhe restorantet. Edhe udhëtimi jashtë qyteteve është i kufizuar. Rrjedhimisht, pritet që fushata zgjedhore të zhvillohet kryesisht përmes tubimeve virtuale dhe takimeve me numër të vogël të pjesëmarrësve.

Ndryshe, Katalonja është përmendur si arsye pse Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në vitin 2017, presidenti rus, Vladimir Putin, e akuzoi BE-në për përdorim të standardeve të dyfishta, duke përmendur Kosovën dhe Katalonjën.

(Kosova Sot Online)