Gruaja i vdiq pas rrahjes e hedhjes për asfalti, dënohet me 15 vjet burgim kosovari

  • E.K /
  • 03 February 2021 - 14:20
Gruaja i vdiq pas rrahjes e hedhjes për asfalti, dënohet me 15 vjet burgim kosovari

Gjykata Themelore ne Prizren ka dënuar me 15 vite burgim një person i cili e rrahu fizikisht dhe e hodhi për asfalti gruan e tij, e cila si pasojë e kësaj dhune ndërroi jetë më pas në QKUK.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda (trupi gjykues në përbërje: Ajser Skenderi kryetare, Raima Elezi dhe Kymete Kicaj anëtare) ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit I.H., për shkak se:

                                                  ËSHTË FAJTOR

– I ka shkaktuar  lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e personit tjetër, në atë mënyrë që me dt. 31.05.2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, i ‘a kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e ekspertizës mjekoligjore, nga të cilat lëndime më vonë e ndjera vdes në QKUK në Prishtinë me datë 15.06.2019,

Kësodore ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par. 5 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Kosovës, (Neni 186 par. Par.5 ‘’ vepra penale rezulton me vdekjen e personit tjetër’’).

Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin  I.H., e GJYKON

Dënim me BURGIM në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 01.06.2019.

Të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Pas shpalljes së aktgjykimit, kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

(Kosova Sot Online)