Belgjika dënon me 20 vjet burgim diplomatin iranian që kishte planifikuar sulm në Francë

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 12:22
Belgjika dënon me 20 vjet burgim diplomatin iranian që kishte planifikuar sulm në Francë

Një diplomat iranian, i akuzuar për planifikim të sulmit me bombë në një takim të një grupi opozitar në ekzil, u dënua të enjten me 20 vjet burgim në Belgjikë. Ky është rasti i parë për terrorizëm i Bashkimit Evropian kundër një zyrtari iranian që nga revolucioni i vitit 1979 në Republikën Islamike.

Avokatët belgë dhe palët civile në këtë rast thanë se diplomati që jetonte në Vjenë u dënua për tentim të kryerjes së aktit terrorist pasi kishte planifikuar të shpërthente bombë në një tubim të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit afër Parisit në qershor të vitit 2018. Sidoqoftë, plani i tij ishte zbuluar dhe parandaluar nga policia e Gjermanisë, Francës dhe Belgjikës.

“Vendimi tregon dy gjëra: një diplomat nuk ka imunitet për akte kriminale…dhe përgjegjësinë e shtetit iranian në atë që do të mund të ishte masakër”, tha avokati prokurorial, Georges-Henri Beauthier, para gazetarëve.

Në sallën ku u mbajt seanca nuk u lejuan gazetarët apo publiku. Ndërtesa e Gjykatës që e mori vendimin për diplomatin iranian ishte nën masa të rrepta sigurie, e ruajtur nga policë e mjete të blinduara, ndërsa helikopterët fluturonin mbi të.

Në këtë proces u shpallën fajtorë edhe tre iranianë të tjerë për rolin e tyre në planifikimin e sulmit. Dënimet për ta ishin me 15, 17 dhe 18 vjet burgim, shkruan Reuters.

(Kosova Sot Online)