Frika e Vuçiqit se njohja e Izraelit për Kosovën do të lëviz gjërat brenda BE’së, takon ambasadorin sllovak

  • G.G /
  • 04 February 2021 - 12:24
Frika e Vuçiqit  se njohja e Izraelit për Kosovën do të lëviz gjërat brenda BE’së, takon ambasadorin sllovak

Njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Izraeli po konsiderohet si një zhvillim historik, i cili mbase mund të shtyjë edhe shtetet anëtare mosnjohse të BE-së për të ndërmarrë një vendim të tillë.

Duke parë një situatë të tillë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, është vënë në lëvizje dhe ka takuar sot ambasadorin e Sllovakisë në Beograd, Fedor Rosoha, ku kanë folur rreth vizitës së kryediplomatit sllovak në Serbi.

Në një komunikatë të lëshuar nga partia e Vuçiqit, thuhet se kreu i shtetit serb i ka kujtuar ambasadorit sllovak se Serbia mbetet një shtet mik dhe partner besueshëm i Sllovakisë, që buron nga “pozicioni parimor i Sllovakisë në respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”.

Sllovakia është një prej pesë shteteve të BE’së të cilat vazhdojnë të mos e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.  

Njohja e Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e raporteve diplomatike mes dy shteteve ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit e nënshkruar në Washington mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)