Ramush Haradinaj ia tregon 'muskujt' Serbisë: Një jetë në përballje me të, asnjëherë nuk u theva

  • E.K /
  • 05 February 2021 - 19:44
Ramush Haradinaj ia tregon 'muskujt' Serbisë: Një jetë në përballje me të, asnjëherë nuk u theva

Kandidati për president nga AAK-ja, Ramush Haradinaj, ka thënë se kushdo që do ta mbajë postin e presidentit të vendit do të duhet të përballet me Serbinë.

Ai nga një tubim elektoral në Gjilan, ka thënë se nëse ai do të bëhet president mund ta bëjë një gjë të tillë duke shtuar se e ka një jetë përballje me të dhe asnjëherë nuk e ka thyer.

“Listës së dëshmuar të AAK-së me njerëz të zotë të profesioneve të ndryshme dhe që janë të gatshëm me marrë besimin i prij unë. Ka edhe diçka – është presidenti. Presidenti është nyja e procesit zgjedhor. Nuk kemi president, kemi ushtrues detyre. Duhet ta zgjedhim presidentin, sepse pa e zgjedh presidentin nuk mund të krijojmë institucione. Pa një president të zotë e kemi zor me i ec punët tona. Kush mund t’i kryjë punët e Kosovës si president? Besoj që muj me i kry”.

“Duhet ta fuqizojmë Kosovën në planin e brendshëm. Duhet ta anëtarësojmë Kosovën në NATO. Duhet të përballemi edhe me Serbinë e cila po vazhdon të bllokojë Kosovën. Deri tash janë përmendur dy kandidatë për president. Është Vjosa Osmani për të cilën kam respekt si intelektuale dhe kolege në politikë. Për përballjen me Serbinë përvoja ime është ndryshe – historia e tregon ndryshe. Kam pasë një jetë në përballje me Serbinë dhe deri sot Serbia nuk ka mrri me më thy as mu, as Kosovën”.

“Herën e parë jam përballë frontalisht me ta më 6 maj 1997 në Qafë të Mullarit në kufirin shqiptaro-shqiptar. Aty më është vrarë vëllai Luani dhe e kemi tërhequr trupin e tij. Nuk e kemi humbur momentumin e luftës dhe për pak kohë jemi kthyer në vendluftim. Herën e dytë e kam pasë më 24 mars 1998 në familje. Na ka rrethuar ushtria e Millosheviqit me krejt çka ka pasë – me polici, ushtri, helikoptera, mjete të blinduara dhe tankse. 

Gjithë ditën ka zgjatur lufta dhe asnjë prej neve që kemi qenë brenda nuk jemi vrarë në rrethim të parë. Në rrethim të tretë na janë vrarë dy bashkëluftëtarë dhe një kushëri. Në vazhdimësi kanë vazhduar presionet me na dobësu. Prapë jam kthyer në detyrë si kryetar qeverie dhe sot jam duke e kërkuar votën”.

“Kur u lazdru Serbia, se u lazdru pak tu mendu që janë bo shumë të zotë, dhe nuk na ka la me hy në INTERPOL dhe doli e mbajti fjalime të lazdruar e Vuçiqi e Daçiqi u keshën duke thënë se ja kallxojmë vendin Kosovës nuk iu doli mirë se na ja kallxum vendin atyre me taksën – edhe kanë vajtu për taksën 1 vjet e sa”.

Pretendenti për postin e presidentit nga AAK-ja nga Gjilani, ashtu siç po bën në secilin tubim ekonomik, e ka shpalosur programin ekonomik të partisë së tij për të cilin po thotë se është zgjidhja e duhur për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

(Kosova Sot Online)