Shkencëtari iranian u vra me armë të dirigjuar 1-tonëshe nga Izraeli, u përcoll 8 muaj

  • G.G /
  • 11 February 2021 - 11:27
Shkencëtari iranian u vra me armë të dirigjuar 1-tonëshe nga Izraeli, u përcoll 8 muaj

Shkencëtari bërthamor iranian që u vra afër Teheranit nëntorin e kaluar, Mohsen Fakhrizadeh, është sulmuar me një armë automatike njëtonëshe që është futur në Iran në disa pjesë nga agjencia izraelite e inteligjencës, Mossad.

Duke cituar burime të inteligjencës, e përjavshmja britanike “The Jewish Chronicle” shkroi se një ekip prej më shumë se 20 agjentëve, përfshirë shtetas izraelitë e iranianë, e kanë kryer sulmin ndaj shkencëtarit pas tetë muajve të vëzhgimit.

Mediet iraniane kanë raportuar se Fakhrizadeh vdiq në spital pasi sulmuesit e qëlluan me armë zjarri në veturë. Pak kohë pas vdekjes së tij, Irani e drejtoi gishtin kah Izraeli, shkruan Reuters.

Izraeli në nëntor refuzoi të komentonte për këtë rast, ndërsa të mërkurën në mbrëmje, një zëdhënës i qeverisë izraelite reagoi ndaj këtij raportimi, duke thënë: “Ne kurrë nuk komentojmë për çështje të tilla. Nuk ka ndonjë ndryshim në pozicionin tonë”.

Shkencëtari i vrarë për një kohë të gjatë ka qenë i dyshuar nga Perëndimi për udhëheqjen e një programi sekret të Iranit për bombë bërthamore.

Ai është përshkruar nga shërbimet inteligjente perëndimore dhe izraelite si udhëheqës misterioz i një programi të fshehtë për bombë bërthamore që u ndërpre më 2003. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se po synon që ta rifillojë zhvillimin e këtij programi.

Gazeta më e vjetër çifute, pa dhënë hollësi për burimin e informacionit, tha se Mossadi e ka montuar armën në një veturë Nissan dhe arma është operuar nga agjentët nga largësia përderisa ata kanë qenë duke e vëzhguar cakun. Arma ishte e rëndë për shkak se kishte edhe bombë që i zhduki dëshmitë pas vrasjes.

Në raportin e gazetës thuhet se sulmi është kryer vetëm nga Izraeli, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, por zyrtarët amerikanë janë informuar në një formë paraprakisht.

(Kosova Sot Online)