Vjosa Osmani thotë se për ambasadën në Jerusalem do të bisedojnë me SHBA’në

  • E.K /
  • 12 February 2021 - 22:58
 Vjosa Osmani thotë se për ambasadën në Jerusalem do të bisedojnë me SHBA’në

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me cështjen e vendosjes së Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin e Izraelit — Jerusalem. Numri dy në listën e VV’së ka premtuar se vendosja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem varet nga diskutimi që do të bëjë qeveria e re e Kosovës me Administratën Biden.

Sipas saj, marrëveshja e Uashingtonit në mes të Kosovës dhe Serbisë thotë që Kosova dhe Izraeli pajtohen për njohje reciproke dhe nuk përmendet Jerusalemi askund.

“Ne e kemi diskutuar në detaje këtë cështje. Marrëveshja në pikën e saj të fundit thotë që Kosova dhe Izraeli pajtohen të bëjnë njohje reciproke. Pikë. Askund nuk përmendet Jerusalemi”, është shprehur Osmani.

Tutje, ajo tha se cdo pikë e asaj marrëveshje do të rishqyrtohet bashkë me administratën Biden porsa të ulen urgjentisht pas krijimit të qeverisë.

“Ne që të dy e kemi përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike, por ajo që do të bëjmë në tërësi për këtë marrëveshje, nga pika e parë deri tek e fundit, është se do të insistojmë që të ulemi menjëherë urgjentisht pas krijimit të qeverisë me presidentin Biden dhe administratën e tij të re të, në mënyrë që të rishikojmë secilën pikë dhe të shohim cili është përkushtimi i tyre”, ka  thënë Osmani.

Ajo gjithashtu tha se njohja e Kosovës nga Izraeli është shumë e rëndëshishme, por për cështjen e ambasadës gjithçka do të vendoset pasi të diskutohet me Adminsitratën Biden.

“Natyrisht që njohja nga Izraeli është tejet me rëndësi, është një prej njohjeve më të rëndësishme dhe arsyeja pse na ka njohur Izraeli janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, do të varet tërësisht nga diskutimi me Administratën Biden”, thotë Osmani.

“Ajo cfarë do të ketë rëndësi për ne është qëndrimi i Administratës Biden”, shtoi Osmani.

(Kosova Sot Online)