21 vite pas luftës e pa veten në fotografinë e KFOR-it, Shabani kujton me emocion momentin

  • E.K /
  • 17 February 2021 - 10:46
21 vite pas luftës e pa veten në fotografinë e KFOR-it, Shabani kujton me emocion momentin

Shaban Xani i mbijetuari i luftës së fundit në Kosovë, mes emocioneve dhe lotëve në fytyrë,tregon përjetimin e tij si një gjashtë vjeçar, kur forcat serbe ia dogjën shtëpinë.

Historia e Shaban Xanit bëhet edhe më emocionuese për faktin që Shabani pas 21 vitesh sheh fotografinë e tij të publikuar nga KFOR-i, duke mbajtur një predhë të tankeve në duar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ajo foto është bërë në gusht të vitit 1999, nga forcat e KFOR-it, në atë kohë unë isha me gjyshin duke kaluar gjatë rrugës për arsye se shtëpitë tona ishin të djegura tërësisht, dhe dëshironim të shihnim vendin se si dukej aty. Aty hasëm afër ushtrisë së KFOR-it dhe deshëm që të shohim vendin por kemi parë disa gëzhoja të plumbave të topit, tankeve që janë gjuajtur nga ushtria serbe, kur jemi afruar unë nuk kam mundur me mbajt sepse ka qenë shumë e rëndë, rreth 7 kg është e thatë, ndërsa gjatësia ka shkuar deri në 70 cm, dhe KFORI e ka kthyer anën nga shkronjat sepse në ato shkronja shihet që është prodhim rus që na ka gjuajtur ushtria serbe”, tha Xani.

“Kur e kam parë foton pas 21 viteve, nuk kam menduar që jam unë në foto, pasi që e kisha  mëdyshjen se si ka mund me u realizua ajo foto, mirëpo kur e kam shikua mirë dhe kam pasë foto ma herët kur kam qenë në kohën e luftës edhe emocioni ka qenë i papërshkrueshëm, për arsye se nuk e dija që do kthehej ajo foto në këtë kohë edhe pse i falënderohem shumë personit që e ka gjet foton duke e ditë që është një moment i mirë për mua dhe familjen time, gjithmonë  e diskutojmë për atë foto se si ka ardhur, se emocionet kanë qenë shumë të mira si nga unë, familja dhe shoqëria”, u shpreh tutje Xani.

Edhe pse ishte vetëm gjashtë vjeçar, ai kujton shumë mirë kohën e luftës, ku sipas tij ka qenë një periudhë mjaftë e vështirë.

“Të flasësh për luftën realisht është një gjë shumë e rëndësishme, kjo datë është shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën por edhe për gjithë popullin shqiptar. Duke përfshirë të gjithë vuajtjen të cilën e kemi kaluar si shqiptarë e si rini, e posaçërisht edhe unë që edhe pse isha 6 vjeç në atë kohë më kujtohet shumë mirë lufta, tmerri që kam kaluar edhe pse ka qenë një kohë shumë e brishtë që kanë kaluar gjithë kosovarët. Të flasësh për luftën apo për 17 shkurtin është një datë shumë e rëndësishme sepse të vish deri në këtë datë kanë sakrifikuar shumë familje e shumë njerëz, mirëpo me sakrificë dhe punën e njerëzve kemi arritur deri te kjo datë që është 13 vjetori i pavarësisë tonë”, tha Xani për Ekonomia Online.

Ai me nostalgji thotë që shoqëria dhe të gjithë e kanë pritur me shumë emocion fotografinë dhe mesazhi që përcjellët nga ai imazh, kur Shabani si një gjashtë vjeçar mban një predhë tanke në duar.

“Po gjithsesi, shoqëria e ka pritur shumë mirë, puna, kolegët e fakulteti dhe të gjithë ata që më kanë rrethuar mua. Të flasësh për mua dhe rininë time, pothuajse gjenerata ime kanë përjetuar luftën dikush në mënyrë ndryshe, e në mënyra tjera, por ideja e krejt kësaj është që ne krejt kosovarët kemi vuajtur dhe kemi ardhur deri në këtë ditë. Gjithmonë ka ardhur ajo ideja se si e ke bë atë foto, pra krejt kjo ide ka qenë e gjyshit tim, që realisht nuk është më në mesin tonë, që ka dashur me pas një kujtim që herë do kur të dal në shesh ajo foto”, deklaroi ai.

Shabani thotë se ajo fotografi tregon se gjenerata e tij nuk kanë shijuar lodrat apo mësimet si fëmijët e tjerë, pasi sipas tij lodrat për të vegjlit e Kosovës kanë qenë armët.

“Na po e nisim me fjalën ku thuhet që fotografia është sa njëmijë fjalë, pse e thashë këtë sepse nuk duhet harruar historia, edhe ne kemi pasur dëshirë që si fëmijë me pasë lojëra me luajt, ose kohën e lirë me kalua shumë mirë, por jo bash në kohën kur fillon shkolla lojërat tona kanë qenë armët. Për rini duhet të punohet shumë, sidomos për studime, dhe të punojnë shumë për rininë”, theksoi ai.

Ai në përfundim bëri apel që rinia të punojnë shumë dhe që si rini ta zhvillojnë bashkërisht  vendin, dhe të mos harrojnë të kaluarën.

(Kosova Sot Online)