Pse s’ishte në tubime me Kurtin dhe sa vota i presin nga diaspora, krejt çka deklaroi mbrëmë Konjufca

  • E.K /
  • 19 February 2021 - 08:03
Pse s’ishte në tubime me Kurtin dhe sa vota i presin nga diaspora, krejt çka deklaroi mbrëmë Konjufca

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka qenë i ftuar mbrëmë në emisionin. Në këtë intervistë, Konjufca ka folur për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, formimin e qeverisë së re, raportet e tij me Albin Kurtin dhe arsyen se pse nuk dolën në debat gjatë fushatës me Enver Hoxhajn.

Sipas Konjufcës, qeveria e radhës e formuar nga partia e tij, nuk do të varet nga votat e Listës Serbe.

“Deri tash po duket që të gjitha gjasat janë që qeverisja e VV’së do të jetë plus nja dy tre deputetë të pakicave jo-serbe”, ka thënë Konjufca.

Konjufca i bindur tha se qeveria e radhës duhet të bëhet pa u kushtëzuar nga Lista Serbe, duke i bërë 61 vota pa ata.

“Nuk bën që Lista Serbe me qenë, si në qeverinë e Hotit, me kusht që ta bëjë 61’shin. Ne duhet ta bëjmë 61’shin pa Listën Serbe”, ka thënë Konjufca.

Tutje, ai la hapur edhe mundësinë e bashkëpunimit me parititë tjera shqiptare.

“Me partitë shqiptare nëse na duhen, për një stabilitet më të gjerë, mund të bisedojmë. Por, kur t’ia shtojmë edhe mërgatën, me disa deputet që kanë qenë pjesë e Qeverisë Kurti 1, me këta do ta bëjmë qeverinë me Kurtin kryeministër”, shtoi Konjufca.

Konjufca: Jam i bindur që me votat e diasporës VV e kalon 50%

Ai është shprehur i bindur se partia e tij e kalon 50% e votave kur të numërohen edhe votat e diasporës.

“Unë jam i bindur që me votat e diasporës kalon 50%”, është shprehur Konjufca.

Megjithatë, Konjufa e konsideron sukses edhe nëse VV’ja nuk e kalon këtë më shumë se gjysmën e përqindjes.

“Por edhe nëse nuk kalon, rreth 50% është pothuajse gjysma e popullatës së Kosovës”, thotë Konjufca.

 Ai gjithashtu tha se kur kuptohet se pothuajse cdo i dyti qytetar e ka votuar VV’në, kjo është një arritje e jashtëzakonshme sipas tij.

“Kur e kupton që cdo i dyti qytetar e ka votuar VV’në, është një arritje e jashtëzakonshme”, shtoi Konjufca.

E la numër 3 në listë dhe doli në tubime me Vjosën, por Glauku e ka një shpjegim pse ai nuk ishte afër Kurtit

Konjufca ka folur edhe për marrëdhëniet e tij me liderin e këtij subjekti, Albin Kurti.

Ai në emision ka treguar nëse marrëdhëniet mes tyre janë ftohur pasi ai e la në vendin e tretë në listën zgjedhore të VV’së dhe në tubime Kurti u pa me Vjosa Osmanin.

Konjufca i mohon pretendimet se marrëdhëniet janë prishur dhe ka një shpjegim pse ai nuk ishte së bashku me të në tubime.

 “Spo di vec me bo për dite nga një selfie me Albinin. Qe këtu jemi ne zyre jemi shumë mirë tu i bo planet së bashku. Nuk po di cfarë metode tjetër. 10 herë jemi sfidu me këtë. Më 2009 mi patën matur ditët. 12 ditët nuk janë parë Glauku me Albinin. Tash po duket se me orë. Qe 12 ore nuk janë takuar”, thotë ai.

“Prej vitit 2017. Dhe për shkak të çështjeve teknike te zhvillimeve. Kur ka qenë Albini në një anë të Kosovës. Unë kam qenë në tjetrën anë. Kjo ka qenë metodologjia e fushatës së VV’së. Kemi menduar se kur jemi në një vend në të njëjtën kohë, ka qenë humbje efektive e kohës. Kam bërë qindra e qindra tubime po nuk kanë pasur publicitet. Publicitetin e kanë marrë marshet e Albinit me Vjosën. Por duhet ta kuptoni se VV nuk është marrshi i publicitetit. Ato janë mediet që kanë shkuar ku kanë menduar se janë më të rëndësishme. Por vetëm 2% e tubimeve janë mbuluar nga mediet. Cdo parti funksionon sikur ushtri”, shtoi ai.

Konjufca komenton deklaratën e tij ku sfidonte të gjitha partitë të dalin kundër VV’së

Anëtari i Kryesisë së VV’së ka komentuar edhe deklaratën e tij të gati para një viti ku kishte kërkuar që të gjitha partitë të mblidheshin në një koalicion që të garonin kundër subjektit të tij.

“Çohuni e dilni në zgjedhje. Po thoni se i keni 82 deputetë. Po thoni se jeni populli. Çohuni e dilni në zgjedhje. Si janë ato sfidat I challenge you në rrjete sociale. Ju sfidoj të gjithve”, kishte thënë Konjufca.

Në po të njëjtin emision, Konjufca ka thënë se beson që do të VV do të fitonte në zgjedhje edhe po të ishin të gjitha partitë tjera bashkë. 

“Nuk kam dyshim se po të ishin një koalicion i quajtur PLAN’i, sepse këto janë akronimet e subjekteve politike, nuk kam fare dyshim që VV do të dilte përpara mbase, nuk e di me të njëjtin rezultat ose më shumë. Qytetarët e Kosovës, e kam vërejtur në takime të shumta, se ajo që ndodhi më 25 mars të vitit të kaluar. Si po mund që fituesi i zgjedhjeve të rrëzohet jo për tjetër, vetëm për teke të partive politike. Sa herë janë prishur koalicionet kemi shkuar në zgjedhje. Fituesi i zgjedhjeve e ka kryeministrin. Cfarë ndodhi me 25 mars, nën urdhrat e Isa Mustafës gjithmonë, u takua me PDK’në, me Nismën dhe AAK’në. Kanë dashur të rrëzojnë Albinin dhe t’ia japin kryeministrin tjetërkujt.  Ishte e papranueshme për qytetarin”, ka thënë ai.

Ai është pyetur pse gjatë fushatës nuk kanë dalë në debat me kandidatin për kryeministër të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Konjufca tha se nëse Kadri Veseli do të ishte i pranishëm në Kosovë, Hoxhajt nuk do t’i vinte radha për të kandiduar për kryeministër.

“Nuk është ai kryeministër i punës të vetë, nuk është kandidat i punës së vetë, që e ka qit puna e vet, e ka lanë Kadri veseli si të mandatuar. Të kishte qenë Kadri Veseli në Kosovë, Enver Hoxhajt nuk i kishte ardhur rendi për kryeministër. Hoti është kryeministër i Isa Mustafës, jo i punëve të veta. Avdullah Hoti është marionetë e tjetër kujt. Për shkak që Isa Mustafa nuk mundte, për shkaqe shëndetësore, neve na vie keq, nuk mund ta performonte kryeministrin nuk dilke kandidat për kryeministër. Albini Kurti nuk është ashtu, Albini është kryeministër i punëve të veta”, ka thënë Konjufca.

(Kosova Sot Online)