Gjykata ruse ia refuzon ankesën, Alexei Navalny mbetet në burg

  • E.K /
  • 20 February 2021 - 11:48
Gjykata ruse ia refuzon ankesën, Alexei Navalny mbetet në burg

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, do të mbetet në burg pasi gjykata ruse ia refuzoi ankesën ndaj burgimit për tri vjet, ndonëse ia uli pak këtë dënim.

Navalny këtë muaj u dënua me burgim për shkelje të rregullave të lirimit me kusht. Vendet perëndimore e kanë dënuar veprimin e Rusisë dhe po diskujtojnë për sanksione të mundshme ndaj këtij shteti.

Një gjykatë në Moskë ia refuzoi shpejt ankesën figurës kryesore të opozitës ruse, por ia shkurtoi kohën e burgimit për gjashtë javë. Më herët, Navalny është dënuar me 3 vjet e gjysmë burgim, shkruan Reuters.

Atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, prandaj i kanë mbetur edhe rreth dy vjet e tetë muaj burgim.

Navalny reagoi me sarkazëm ndaj vendimit, duke thënë: “Ata e kanë pakësuar dënimin për një muaj e gjysmë. Mrekulli!”

Ai u kthye nga Gjermania në Rusi muajin e kaluar pasi atje ishte duke i trajtuar për helmimin që e pësoi në gusht të vitit të kaluar në Siberi. Navalny e ka fajësuar pushtetin në Rusi për këtë rast.

(Kosova Sot Online)