Profesoresha e UP’së për incidentin në Juridik: Kopjimi ka avancuar, si pasojë, profesorët duhet shndërrohen në policë

  • E.K /
  • 20 February 2021 - 16:48
Profesoresha e UP’së për incidentin në Juridik: Kopjimi ka avancuar, si pasojë, profesorët duhet shndërrohen në policë

Profesoresha e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Jehona Lushaku-Sadriu ka reaguar pas publikimit të një video ku shihet profesori i Fakultetit Juridik, Xhafer Tahiri, duke  kapur për krahu një studente.

Lushaku ka thënë që rastet e tilla janë shembull se si profesorët po shndërrohen në policë në provime, për shkak se sipas saj kopjimi ka avancuar.

“Nje shembull se si profesoret duhet te shendrrohen ne police ne provime, ngase kopjimi ka avansuar ne fenomen te sofistikuar nga disa studente.  Universitetet ende nuk kane arritur te krijojne nje mekanizem per luftimin e ketij fenomeni.  Provoni me kopju ne universitete te perendimore, veq nje here mundet me ndodhe dhe e humbe te drejten e studimit. Kaq”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

Në ndërkohë lidhur me incidentin ka folur edhe Xhafer Tahiri.

Tahiri thotë se studentja në fjalë është kapur duke kopjuar me telefon dhe e ka fotografuar testin, derisa teksa jep versionin e tij shpjegon se ka tentuar ta ndalë studenten për ta idenfitikuar meqë në test s’ka dhënë kurrfarë detaji për identifikim.

“Sot gjatë provimit, një studente e kam vërejtur duke kopjuar me telefon, ku kishte fotografuar testin. Për të mbrojtur integritetin e procesit mësimor bashkë me kolegen Prof. Dr. Emine Avdyli, e në prezencë të Prof. Dr. Fulutura Tahiraj, me të cilat bashkë po e mbanim testin, siç shihet edhe në video, e kemi ndal studenten për ta identifikuar pasi e njejta nuk e ka shkruar emrin e as ID ne test”, ka thënë Tahiri.

Ai thotë se s’bëhet fjalë për dhunë.

“Nuk bëhet fjalë për kurrfar dhune, studenten në fjalë e kemi larguar nga provimi për shkak të kopjimit.”, ka shtuar tutje.

Derisa studentja në fjalë jep version tjetër për rastin. Siç i ka thënë Klan Kosovës, nuk ka dashur të futet në provim dhe se Tahiri ka provuar që ta bëjë të kundërtën.

Në videon e publikuar  Tahiri shihet teksa një moment e kap studenten për krahu.

(Kosova Sot Online)