Mësuesi i historisë tregon i tmerruar se si nxënësit e tij nuk e dinë kush është Hitleri

  • E.K /
  • 23 February 2021 - 11:47
Mësuesi i historisë tregon i tmerruar se si nxënësit e tij nuk e dinë kush është Hitleri

Një mësues i historisë në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar se nxënësit e tij nuk e dinë kush ka qenë Adolf Hitleri pasi ata menduan se Helen Keller ka qenë udhëheqëse e nazistëve.

Përmes një videoje të publikuar në aplikacionin TikTok, mësuesi i shfaqi nxënësit duke u përgjigjur rreth figurave dhe ngjarjeve të njohura historike. Përgjigjet e tyre të tmerrshme i shqetësuan njerëzit rreth të ardhmes së Amerikës, shkruan Daily Mail.

“Si mësues i historisë, unë jam i shqetësuar”, shkruhet në videon e publikuar nga amerikani. Kjo video u shikua mbi gjashtë milionë herë para se të fshihej nga platforma.

Në fillim të videos, mësuesi pyet një nga nxënësit se kush ka qenë Helen Keller. “Helen Keller është njeri i Nazistëve. Ai është si terrorist”, u përgjigj nxënësi.

Mësuesi i habitur mendoi se nxënësi ishte duke menduar për Hitlerin, por doli se ata nuk e dinin kush ka qenë Hitleri.

“Helen Keller terrorist nazist, i bie që është mashkull. A po ma thua këtë tani? A je duke menduar për Hitlerin”, pyet mësuesi.

“Kush është Hitleri”, pyet një nxënës tjetër.

Mësuesi fillimisht i ndaloi komentet në video para se ta fshinte atë, por reagimi i njerëzve kaloi në rrjetin tjetër social, Twitter.

Një grua tha se mungesa e njohurive rreth historisë në mesin e nxënësve është tregues se si përhapësit e konspiracioneve të krahut të djathtë u zgjodhën në Kongres.

(Kosova Sot Online)