Çudi: Turqia i del në mbrojtje kryeministrit armen, Nikol Pashinyan

  • E.K /
  • 25 February 2021 - 15:43
Çudi: Turqia i del në mbrojtje kryeministrit armen, Nikol Pashinyan

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, gjatë një vizite zyrtare në Hungari deklaroi se vendi i tij e dënon ashpër tentimin për puç ushtarak në Armeni, ndonëse presidenti turk, Rexhep Erdogan, disa muaj më parë i bëri thirrje popullit armen që ta ndërrojë pushtetin.

“Ne dënojmë të gjitha puçet ushtarake apo tentimet për puç, pavarësisht ku ndodhin ato në botë”, tha Cavusoglu në përgjigjen ndaj pyetjes së një gazetari gjatë konferencës së përbashkët për medie me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.

Sipas kryediplomatit turk, populli i një vendi ka të drejtë ta kritikojë qeverinë e vet ose ta kërkojë dorëheqjen e saj, por se është e papranueshme që ushtria të bëjë thirrje për dorëheqjen e një qeverie të zgjedhur, shkruan Anadolu.

Duke i përkujtuar procesin e normalizimit dhe armëpushimin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, Cavusoglu shtoi: “Është një mundësi e rëndësishme për stabilitetin e rajonit dhe kjo duhet të vlerësohet mirë, por është gjithashtu jetike që të mbahet stabiliteti në rajon për të gjitha vendet përkatëse dhe përpjekjet e tilla si puçet ushtarake kanë ndikim destabilizues.”

Forcat e armatosura të Armenisë të enjten i bënë thirrje kryeministrit Nikol Pashinyan dhe qeverisë së tij që të japin dorëheqje.

Pashinyan është përballur me protesta dhe thirrje për dorëheqje pas asaj të kritikët e cilësojnë se menaxhim i tmerrshëm i konfliktit të përgjakshëm 6-javor mes Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Vetë kryeministri Pashinyan tha se thirrja e ushtrisë për dorëheqjen e tij është përpjekje për puç ushtarak dhe u bëri thirrje përkrahësve që të mblidhen në qendrën e kryeqytetit Yerevan, shkruan Reuters.

Luftimet mes ushtrisë së Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene në Nagorno-Karabak dhe provincat përreth tij filluan në fundin e shtatorit të vitit të kaluar dhe përfunduan në mesin e nëntorit përmes nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit, e cila u ndërmjetësua nga Rusia.

(Kosova Sot Online)