Shefi i Zyrës së BE-së kur pyetet për “çështjen” e hartës së Kosovës, thotë se nuk mban fare hartë në zyrë

  • A.P /
  • 26 February 2021 - 17:17
Shefi i Zyrës së BE-së kur pyetet për “çështjen” e hartës së Kosovës, thotë se nuk mban fare hartë në zyrë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, duket të jetë më i kujdesshëm sesa i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili para disa ditësh u shfaq gjatë një interviste me një hartë në prapavijë, e ku Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.

Kur është pyetur nga lidhur me reagimet që ka shkaktuar në Kosovë harta “neutrale” e sllovakut Lajçak, Szunyog i cili vjen nga Çekia është përgjigjur duke qeshur se ai nuk mban fare hartë në zyrën e tij.

“Epo, unë nuk kam ndonjë hartë në zyrën time. Në të vërtetë po mendoja të vendosja një hartë të Qipros atje, por pastaj e mendova përsëri dhe nuk e bëra. Kështu që unë kam vetëm fotografi në zyrën time, ato janë fotografitë e vetme të bëra këtu gjatë Ditëve të Evropës dhe disa prej tyre janë edhe shumë të mira”.

“Ju jeni të mirëpritur të vini t’i shihni. Unë nuk kam ndonjë hartë në zyrën time”, tha Tomas Szunyog.

Intervista u zhvillua në Shtëpinë e Evropës, pak metra nga vendi ku Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) mbajti një aksion simbolik, me ç’rast në rrethojat e Zyrës së BE-së në Prishtinë vendosi hartën (e plotë) të shtetit të Kosovës.

PSD-ja theksoi se BE-ja duhet ta thotë qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe se emisari i BE-së është rreshtuar krah Serbisë me këtë rast.

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak, gjatë javës dha një intervistë për një medie serbe. Në hartën që shihej prapa shpinës së tij, mediet raportuan se “Kosova paraqitet si pjesë integrale e Serbisë”.

Pas reagimeve në Kosovë, Lajçak tha në Twitter se ajo hartë është zyrtare e Bashkimit Evropian dhe aty gjendet edhe linja (vija e ndërprerë) që e ndan Kosovën nga Serbia.

Emisari evropian, Lajçak, i cili ka paralajmëruar se do ta vizitojë Prishtinën e Beogradin, javën e ardhshme, ka bërë edhe deklarata të tjera, të cilat nuk janë pritur mirë në Kosovë.

I pyetur rreth deklaratës së Lajçak se Marrëveshja e Washingtonit nuk i ka kontribuar dialogut Kosovë-Serbi, Ambasadori Tomáš Szunyog thekson se bashkëpunimi mes BE-së dhe ShBA-së gjithmonë ka sjellë rezultate.

“Ju mund ta pyesni drejtpërdrejt Lajçakun javën e ardhshme. Por do të thosha që është e rëndësishme që ne si BE të kemi një mbështetje shumë të fortë për dialogun nga ShBA dhe ne punojmë së bashku. Dhe nga përvoja, jo vetëm nga Kosova por nga i gjithë rajoni, është se nëse ShBA-ja dhe BE-ja punojnë ngushtë së bashku, atëherë gjithmonë do të sjellë rezultate”, u shpreh Szunyog.

Tutje, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë ka folur rreth vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi të ndihmuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, çfarë marrëveshje arrihet në fund, kjo varet nga Prishtina dhe Beogradi.

“Kjo është një pyetje që ndoshta duhet t’i drejtohet mikut tim Lajçak, i cili do të vijë javën e ardhshme”, u përgjigj Szunyog, kur u pyet nëse BE-ja e shtyn përpara një marrëveshje përfundimtare, ku
përfshihet njohja reciproke ndërmjet dy vendeve.

“Nga perspektiva ime, mandati i Lajçak është shumë i qartë dhe është të lehtësojë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjore e cila do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura. Në të njëjtën kohë, varet nga të dy palët nga Prishtina dhe Beogradi se çfarë është në tryezë, cila është korniza e negociatave dhe sa shpejt mund të vazhdojnë negociatat”, tha Szunyog.

Në intervistën për, e cila e plotë publikohet të dielën, Szunyog flet për prioritetet që duhet të ketë Qeveria e re e Kosovës, zgjedhjen e presidentit, për datën e sigurimit të vaksinës për Kosovën, si dhe për liberalizimin e vizave.

(Kosova Sot Online)