Abazoviq: E kam uruar Kosovën në përvjetorin e Pavarësisë, Gjeloshaj ka bërë propagandë

  • A.P /
  • 26 February 2021 - 18:53
Abazoviq: E kam uruar Kosovën në përvjetorin e Pavarësisë, Gjeloshaj ka bërë propagandë

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë që ai ka bërë urim për Kosovën në 13-vjetorin e Pavarësisë.

Abazoviq tha që kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, ka bërë propagandë lidhur me këtë çështje.

“Nik Gjeloshaj ka bërë pak propagandë duke thënë që ‘pse se nuk e keni uruar’. E kam një pyetje për të, pse nuk e ka pyetur presidentin Gjukanoviq se  pse nuk e ka publikuar urimin e vet. Apo tash nuk i duhen më pakicat kur është në opozitë. Kjo pyetje duhet të shtrohet, e jo të provojë të krijojë armiq sidomos dikë që ka sjellje korrekte”.

Abazoviq theksoi që problemi i mentalitetit që ekziston këtu, është që sipas tij, diçka që ka lidhje me virusin e lidhin me politikën.

“E kam uruar Kosovën për Pavarësi, e ka uruar edhe kryeministri. Diçka që ka lidhje me virusin e lidhin me politikën dhe në këtë rast me 17 shkurtin – ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ky është mentaliteti i funksionimit të politikës në Ballkan. Sa i takon Kosovës, ju e dini shumë qartë që nuk kam qenë i gatshëm për të hyrë në koalicion në Qeveri të Malit të Zi pa u nënshkruar marrëveshja që çështja e pavarësisë së Kosovës është e pa prekshme, sa i takon Qeverisë së re”.

“Ne ashtu edhe sillemi, është e thjeshtë që ta gjeni urimin tim. Ia kam uruar edhe presidentes, edhe kryeministrit aktual, pa marrë parasysh që ndërkohë kanë ardhur zgjedhjet. Sa i takon urimit, ai ka qenë i publikuar në dy gjuhë dhe është një gjë që shumë thjeshtë mund të shikohet pasi është publike”.

“Politika e qeverisë është e tillë që ka dëshirë të bëjë marrëdhënie sa më të mira me të gjitha shtetet në rajon dhe të mundohemi të japin një kontribut që të dobësohet polarizimi e jo të jetë më i ngritur”.

(Kosova Sot Online)