Bislimi: Kryetari i ri i LDK’së do jetë përcaktues

  • A.P /
  • 26 February 2021 - 19:42
Bislimi: Kryetari i ri i LDK’së do jetë përcaktues

Zyrtari i LDK’së, Faton Bislimi tregon për Balkan Talks në Euronews Albania qasjen që do ndjekë LDK në këto zgjedhje.

“Testi i radhës janë zgjedhjet lokale, që janë në tetor dhe ne jemi në një proces edhe të gjetjes së një lideri të ri që ta ringrejë LDK-në. Ky do jetë indikatori që do na japë shpresë nëse do ringrihet gjatë zgjedhjeve apo do jetë në spirale rënieje”, – thotë politikani Faton Bislimi.

Sipas Bislimit, nëse ndryshimet do bëheshin pas zgjedhjeve lokale në Podujevë, LDK-ja nuk do ishte në situatën që gjendet sot.

“103 mijë zgjedhësit tanë besnikë duhet të respektohen. Edhe pse nuk i ka pëlqyer udhëheqja, ata kanë qenë besnikë. Nëse do bënim ndryshime pas Podujevës, nuk do kishim këtë rezultat”, shprehet Bislimi.

Sipas tij, mënyra për të dalë nga kjo situatë është një mendësi e re që t’i shërbejë qytetarit.

“Ne do ja dalim të dalim nga kjo situatë dhe jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë që i takojnë secilit për qytetarët tanë. Jemi në një moment historik; të nxjerrim një mendësi të re, që i duhet qytetarëve të Kosovës dhe të dalim nga politika, që nuk i ka shërbyer qytetarit dhe Kosovës. Ne duhet të japim shembullin për çdo parti që mund të ringrihemi”, – rrëfen Bislimi.

Politikani i LDK shprehet se lideri i ri do jetë përcaktues për ecurinë e LDK-së dhe ai duhet të ketë disa cilësi që t’i përshtaten partisë që do udhëheqë.

“Ka emra që do kandidojnë, por nuk do t’i përmend në emra të përveçëm. Lideri i ri duhet të jetë ai person që ka aftësinë t’i shtrëngojë dorën secilit anëtar te LDK-ja dhe të ketë shpresën për t’u ringritur me vizion, durim dhe guxim”, – përfundon Bislimi.

(Kosova Sot Online)