Flasin disa prej vajzave të liruara në Nigeri pasi u rrëmbyen nga disa persona të armatosur

  • A.P /
  • 02 mars 2021 - 22:38
Flasin disa prej vajzave të liruara në Nigeri pasi u rrëmbyen nga disa persona të armatosur

Disa nga afro 300 vajza të cila ishin rrëmbyer nga një shkollë në Nigerinë veri-perëndimore kanë përshkruar kalvarin e tyre pas lirimit të tyre.

“Shumica prej nesh u lënduam “, ka thënë një nga nxënëset e shkollës për BBC, duke shtuar se persona të armatosur kërcënuan t’i qëllonin.

Vajzat u rrëmbyen nga sulmues të paidentifikuar nga shkolla e tyre me konvikt në Jangebe, shteti Zamfara, të premten dhe u morën në një pyll, tha policia.

Guvernatori i shtetit tha të martën se 279 vajzat ishin liruar.

Ndërkohë siç vë në pah BBC, rrëmbime të tilla kryhen për shpërblim dhe janë të zakonshme në veri të vendit.

Ndërkohë të martën, dhjetëra vajza u panë të mbledhura në një ndërtesë qeveritare në Zamfara pasi u morën atje me një flotë minibusësh.

Një nga nxënëset e shkollës tha se disa prej atyre që ishin rrëmbyer e kishin të vështirë të vazhdonin të ecnin kur u udhëzuan ta bënin këtë nga personat e armatosur për shkak të plagëve të tyre.

“Ata thanë se [do] të qëllonin këdo që nuk vazhdonte të ecte”, tha ajo. “Ne ecëm përtej një lumi dhe ata na fshehën dhe na lënë të flemë nën kaçube në një pyll”.

Ndërsa një tjetër nga vajzat, 15 vjeçe, tha se disa nga shoqet e saj të klasës e kishin të vështirë “të ecnin nëpër gurë dhe ferra” dhe duhej të barteshin.

“Ata filluan të na godisnin me armë në mënyrë që ne të lëviznim”, i tha ajo agjencisë së lajmeve Reuters, duke shtuar: “Ndërsa ishin duke i rrahur me armë, disa prej tyre po qanin dhe lëviznin në të njëjtën kohë”.

Disa nga baballarët që kishin mbërritur për të parë vajzat e tyre për herë të parë që nga rrëmbimi i tyre u thanë gazetarëve se ishin “shumë të lumtur” me lajmin e lirimit të tyre.

Lirimi i grupit thuhet se u sigurua përmes negociatave midis zyrtarëve qeveritarë dhe rrëmbyesve, thanë autoritetet në shtetin Zamfara për BBC.

Autoritetet lokale thanë se një shifër e mëparshme e siguruar nga policia prej 317 për numrin e vajzave të rrëmbyera nuk ishte e saktë.

Një zyrtar i tha Reuters se mospërputhja ishte për faktin se disa vajza kishin ikur menjëherë pasi ishin rrëmbyer.

E presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, tha se ndjeu “gëzim të madh” me lajmin e lirimit të vajzave.

“[Unë jam] i kënaqur që kalvari i tyre ka ardhur në një fund të lumtur pa ndonjë incident”, tha ai, transmeton telegrafi.

Ndërkaq Guvernatori i shtetit Zamfara, Bello Matawalle, shkroi në Twitter se “është shumë i gëzuar për të njoftuar lirimin e studentëve të rrëmbyer”.

Z. Matawalle ka mohuar të paguajë për vajzat që do të lirohen, por javën e kaluar presidenti Buhari pranoi që qeveritë e shtetit kishin paguar rrëmbyesit “me para dhe automjete” në të kaluarën dhe i nxiti ata të rishikonin këtë praktikë. 

(Kosova Sot Online)