SBASHK-u me kërkesa, nëse s’realizohen paralajmërojnë protesta masive

  • A.P /
  • 07 mars 2021 - 17:53
SBASHK-u me kërkesa, nëse s’realizohen paralajmërojnë protesta masive

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, po kërkon nga Qeveria e ardhshme më shumë angazhim për përmirësimin e kushteve të punës.

Jasharaj ka thënë se përmirësimi i kushteve të punës nëpër shkolla dhe institucione tjera arsimore është angazhimi kyç.

“Shkollat tona në përgjithësi janë të rindërtuara rishtazi, ka ambiente nga jashtë që duken bukur por nga brenda janë goxha të thata sepse mungojnë mjetet bashkëkohore të punës. Ne do të angazhohemi me ministrin e ri që Qeveria e re të ndajë më shumë mjete për t’i krijuar kushtet e reja nëpër institucionet arsimore që ato t’i ngjajnë shekullit 21 por ndërkohë mund të rrjedhin edhe kërkesa të tjera të anëtarësisë të cilat ne si zakonisht do të përpiqemi t’i realizojmë përmes dialogut. E nëse dialogu nuk jep rezultate atëherë si në të kaluarën edhe tash SBASHK-u do ta dëgjojë zërin e punëtorëve të arsimit dhe në rast se çështjet nuk realizohen me dialog atëherë do të ketë edhe në të ardhmen veprime sindikale”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, kryetari i SBASHK-ut kërkon nga Qeveria që të rregullohet Ligji i Pagave, në mënyrë që kërkesat për greva të jenë sa më minimale.

“Do t’i shtojmë angazhimet që në Qeverinë e re të punohet me zell, të hiqen defektet që i ka thënë Kushtetuesja lidhur me Ligjin e Pagave në mënyrë që ligji i pagave të rregullohet ashtu siç ka thënë Kushtetuesja dhe të vihet në funksion ngase SBASHK-u mendon se kur shteti ynë ka ligj të pagave atëherë kërkesat për greva do të jenë minimale sepse ligji i pagave i rregullon ato dhe nuk ka arsye më kërkesa për rritje page”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)