Franca do t’i deklasifikojë dokumentet e luftës në Algjeri, pritet zbulimi i krimeve

  • A.P /
  • 10 March 2021 - 15:47
Franca do t’i deklasifikojë dokumentet e luftës në Algjeri, pritet zbulimi i krimeve

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do ta lejojë qasjen në dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare nga më shumë se 70 vjet më parë. Këto dokumente e mbulojnë edhe luftën e Francës në Algjeri dhe disa ngjarje tjera që më parë janë cilësuar si sekrete shtetërore.

Pallati Elize tha se ky vendim, që erdhi vetëm një javë pas pranimit zyrtar se trupat franceze e kishin torturuar dhe vrarë aktivistin algjerian për pavarësi, Ali Boumendjel më 1957, është marrë me qëllim që të baraspeshohet e vërteta historike me çështjet legjitime të mbrojtjes kombëtare.

Rekomandimi për t’ua hequr klasifikimin si sekrete të mbrojtjes dokumenteve në lidhje me vitet deri më 1970, sidomos ato që kanë të bëjnë me kolonizimin francez të Algjerisë, ishte një element kyç në një raport të hartuar nga historiani Benjamin Stora, shkruan The Guardian.

Historiani Stora në raport e theksoi nevojën që Franca, siç thuhet, të ballafaqohet me historinë e saj dhe gjithashtu sugjeroi për krijimin e një komisioni të së vërtetës dhe kujtimit për t’i pajtuar dy anët e Mesdheut.

Në një letër të hapur para dy muajve, një grup i arkivistëve dhe historianëve francezë u ankuan rreth zbatimit të vazhdueshëm të refuzimeve ndaj kërkesave të tyre për qasje në dokumente zyrtare me arsyetimin se ato janë të klasifikuara si sekrete të mbrojtjes kombëtare.

Vendimi për deklasifikimin e dokumenteve u mirëprit edhe nga familjarët e pasagjerëve që vdiqën në aeroplanin e kompanisë “Air France” nga Korsika në Nice më 11 shtator 1968.

Aktivistët besojnë se një anije luftarake franceze gabimisht e kishte qëlluar aeroplanin mbi ujërat e Detit Mesdhe gjatë ushtrimeve ushtarake. Megjithatë, të gjitha përpjekjet për qasje në dokumente zyrtare të asaj periudhe janë refuzuar deri më tani për shkak të klasifikimit si sekrete të mbrojtjes kombëtare.

(Kosova Sot Online)