Manipulimet me vota dhe largimi i Meliza Haradinajt, Ramush Haradinaj deklarohet pas mbledhjes së partisë

  • G.G /
  • 11 March 2021 - 12:31
Manipulimet me vota dhe largimi i Meliza Haradinajt, Ramush Haradinaj deklarohet pas mbledhjes së partisë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ai tha se janë të shqetësuar nga keqpërdorimet me vota në zgjedhjet e fundit, e në të cilën ishte e përfshirë edhe ish-anëtarja e kësaj partie, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Sa i përket procesit zgjedhor i falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë kontribuar që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Rezultati është pranuar nga të gjitha partitë. Poashtu edhe ne jemi të shqetësuar me keqpërdorimet që kanë ndodhur në disa raste, nga disa komisionerë të pandërgjegjshëm. Kërkojmë nga organet e rendit dhe nga hetuesia që kriminelët e votave të përfundojnë në burg”, ka thënë ai.

Më tutje Haradinaj, kërkoi rinumërim të plotë të votave nën praninë e organeve të hetuesisë dhe policisë.

“Për këtë arsye ne kërkojmë rinumërim të plotë të votave para organeve të hetuesisë në mënyrë që të gjendet e vërteta. Ndërtimi i institucioneve duhet të bëhet sa më shpejtë dhe ne nuk kontestojmë rezultatin zgjedhor, përqindjen tonë apo të partive tjera dhe nuk shoh se duhet të dal dikush kundër rinumërimit, vetëm nëse fshehin keqpërdorime nga opinion”, ka thënë ai.

Pikërisht për shkak të akuzave se ka keqpërdorur me vota, Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë dorëheqje nga partia dhe nga pozita e kryediplomates. 

(Kosova Sot Online)