Mbi 10 mijë raste aktive me koronavirus në Kosovë

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 08:01
 Mbi 10 mijë raste aktive me koronavirus në Kosovë

Që nga 13 marsi i vitit 2020-të, kur edhe u paraqitën rastet e para pozitive me koronavirus, numri i të infektuarve me këtë virus në Kosovë ka shkuar në 75 mijë e 380.

Gjatë kësaj periudhe në Kosovë 1 mijë e 682 qytetarë nuk munden t’i mbijetojnë këtij virusi vdekjeprurës. COVID-19 të enjten i mori edhe jetën e një 16 vjeçari nga Komuna e Vitisë, të cilin rast e konfirmoi drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.

Ndërkohë që në vend janë 10 mijë e 318 raste aktive me Covid-19.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.621 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 632 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (86, 77, 57 vjeç), Prizren 3 raste (79, 74, 65 vjeç), Podujevë 1 rast (77 vjeç), Prishtinë 1 rast (88 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 75.380 raste nga 345.064 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.682 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 397 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.380 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.318”, thuhet në njoftimin e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Prishtina po prinë me numrin e rasteve pozitive. Në raportin e fundit të IKShPK-së, raportohet për 276 raste të reja me COVID-19 në Prishtinë, e pasuar nga Komuna e Gjilanit me 35 raste.

Ndërsa, Mitrovica 34 raste, Podujevë 34 raste, Pejë 33 raste, Gjakovë 28 raste, Ferizaj 25 raste, Fushë-Kosovë 24 raste, Vushtrri 24 raste, Viti 18 raste, Kamenicë 14 raste, Obiliq 12 raste, Suharekë 12 raste, Klinë 11 raste, Prizren 9 raste, Lipjan 8 raste, Drenas 7 raste, Istog 7 raste, Skenderaj 5 raste, Kaçanik 4 raste, Deçan 2 raste, Dragash 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Hani i Elezit, Junik, Kllokot, Malishevë dhe Shtime.

Me rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 IKShPK sërish u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat antiCOVID-19 në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij virus.

“Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 632 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm Në Prishtinë janë raportuar 276 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 8 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave. Mjekët të stërngarkuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Masat parandaluese janë të njejta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu “IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe pa mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës”.

Ndërkohë që të enjten kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), pas të cilit takim u tha se do të jenë në fuqi masat e njëjta antiCOVID-19.

(Kosova Sot Online)