Boiken Abazi: VV synon që një ditë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri të vendosin me votë reth bashkimit kombëtar

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 10:57
 Boiken Abazi: VV synon që një ditë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri të vendosin me votë reth bashkimit kombëtar

Kryetari i qendrës Vetëvendosje në Shqipëri, njëkohësisht kandidati i kësaj lëvizjeje për qarkun e Tiranës, Boiken Abazi tha në një intervistë se LVV synon që një ditë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri të vendosin me votë nëse e duan bashkimin kombëtar.

Abazi tha se një nga çështjet e para me të cilën do të merren deputetët e LVV nëse mbërrijnë në Kuvend, është të bëjnë transparencë se çfarë ka ndodhur me 140 marrëveshjet e nënshkruara që nga 2006 mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Duam me hapa konkretë të shikojmë ku kanë ngecur këto marrëveshje, në mënyrë që një ditë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri të mund të votojnë dhe të vendosin vetë nëse e duan bashkimin Shqipëri-Kosovë”, tha Abazi.

Kandidati i LVV u shpreh se projekti i tyre do të vazhdojë dhe në zgjedhjet e radhës Lëvizja synon të garojë me lista të plota në të gjitha qarqet e vendit.

Sipas tij, qëllimi i tre kandidatëve të LVV në zgjedhjet e 25 prillit është të përcjellin në kuvend zërin e qytetarëve lidhur me çështjet që lidhen me korrupsionin dhe ndryshimin e modelit ekonomik, në mënyrë që sipas tij të arrihet tek ajo që të gjithë shqiptarët e dinë dhe duan; përpjekja për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë të mbushet me çështje përmbajtësore që lidhen me shëndetësisë, ekonominë apo heqjen e traut në Rrugën e Kombit

Prej më pak se dy vitesh, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur aktivitetin e saj dhe në Shqipëri. Edhe pse është e regjistruar si një organizatë jo fitimprurëse, nga radhët e saj kanë dalë 3 kandidatë që do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit, si të pavarur. 

(Kosova Sot Online)