Situata me koronavirus në Mal të Zi del jashtë kontrollit, çdo dy minuta po infektohet një person

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 12:23
 Situata me koronavirus në Mal të Zi del jashtë kontrollit, çdo dy minuta po infektohet një person

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, në një konferencë shtypi (12.03) tha se situata epidemiologjike në Mal të Zi është shumë serioze dhe komplekse.

“Ne nuk e kontrollojmë dot më epideminë, sepse numri i të prekurve me virus dhe atyre që humbasin jetën është vazhdimisht në rritje.”

Ai tha se çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën.

Numri i pacientëve të prekur me koronavirus gjatë tërë ditëve të javës së shkuar është mbi 500, ndërsa ai i vdekjeve 64 .

Sipas Galiq rreth 13 përqind e popullsisë së Malit të Zi janë të prekur me koronavirus e kësaj i shtohet edhe transmetimi lokal, që po ashtu shënon rritje.

“Rastet e regjistruara rishtas të infeksionit në lidhje me numrin e testuar është 28.7 përqind. Në mënyrë që të jemi në gjendje të themi se ne e kontrollojmë epideminë, ky raport duhet të jetë pesë përqind. Kjo flet për masën, në të cilën ne nuk e kontrollojmë epideminë”, tha Galiq.

Mali i Zi nuk i mbyll kufijtë por kërkon ndihmë nga BE dhe NATO

Përkundër treguesve shqetësues për situatën me epideminë, autoritetet shëndetësore dhe qeveria e Malit të Zi po i mbajnë kufijtë e hapur për katër vendet fqinje.

“Arsyet janë kryesisht ekonomike,” deklaroi Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë Borko Bajiç, duke përmendur një numër më të vogël të të infektuarve në ato vende si arsye shtesë dhe faktin që ata i mbajnë kufijtë e tyre të hapur me Malin e Zi.

Masat aktuale epidemiologjike lejojnë hyrjen në Mal të Zi nga Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina pa një provë të testit PCR. Në të njëjtën kohë, banorët e 11 qyteteve në Malin e Zi janë e kanë të ndaluar të largohen nga qytetet e tyre, duke lëvizur nga ora 9 në 5 të mëngjesit dhe trafiku midis qyteteve ndalohet gjatë fundjavave.

Mali i Zi renditet i pari në rajon me numrin e të sëmurëve aktivë (1.448) për 100 mijë banorë.

Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 82.029 raste të infeksionit dhe 1.113 persona kanë humbur jetën.

Të ndodhur në një situatë të tillë epidemiologjike Mali i Zi ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s për të përballuar gjendjen e krijuar nga Covid-19.

Shefi i Diplomacisë malazeze Gjorgje Radulloviq i kërkoi Brukselit që të dërgojnë mjekë e infermierë për t’u ardhur në ndihmë punonjësve mjekësorë të cilët ka më se 1 vit që përballen me të infektuarit me Covid-19.

Delegacioni i Bashkimi Evropian (BE) në Podgoricë ka njoftuar se i ka akorduar Malit të Zi një ndihmë prej 200 mijë eurosh për të siguruar pajisje mjekësore në luftë kundër koronavirusit.

Bashkimi Evropian nga fillimi i pandemisë i ka akorduar Malit të Zi një paketë ndihmash prej 53 milionë eurosh mjete të pa kthyeshme, dhe 60 milionë euro si ndihmë mikro financiare.

Vaksinimi po ecën ngadalë

Megjithëse Mali i Zi kryeson pothuajse në të gjithë parametrat negativë epidemiologjikë, numri i personave të vaksinuar është 3.062,ose 0.5 përqind e popullsisë. Mesatarisht në ditë vaksinohen 170 persona.

Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik Milko Joksimoviç sheh ritmin e ngadaltë të vaksinimit në vend si arsye të rritjes së numrit të infeksioneve dhe të të shtruarve në spital.

Kjo ka të bëjë edhe me numrin e vogël të vaksinave që janë në dispozicion. “Ritmi u kushtëzua fillimisht nga sigurimi i vaksinave dhe pastaj nga procedurat burokratike të mbërritjes në vend”, ka thënë epidemiologu Joksimoviq.

Në Mal të Zi fillimisht vaksina i është ofruar personelit mjekësor, ndërsa në ditët e ardhshme do të vazhdojë vaksinimi i personave mbi 80 vjeç, që cilësohen si grupet më të rrezikuara nga COVID-19./DW

(Kosova Sot Online)