AAK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Albin Kurti e Vjosa Osmani

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 14:17
 AAK-ja konfirmon pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Albin Kurti e Vjosa Osmani

Aleanca për Ardhmërinë  Kosovës (AAK), ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe u.d. e Presidentit Vjosa Osmani.

Në takim me dyshen, AAK-ja do të përfaëësohet nga lideri i partisë Ramush Haradinaj.

“Pas konsultimeve në Kryesi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmon prezencën e kryetarit z. Ramush Haradinaj në takimin e thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëndosje z. Albin Kurti për të hënën në ora 13:30 në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar edhe nënkryetari i AAK-së, Adrian Gjini në një konferencë me gazetarët.

Gjini më tutje tha që ende nuk kanë vendosur nëse do të qëndrojnë në sallë në kohën kur pritet të votohet presidenti i vendit.

Kandidat për president nga kjo parti është Ramush Haradinaj.

Ndërsa, partia e parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së liderit të VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, ka konfirmuar për express, se kjo parti do të marrë pjesë të hënën në takimin e thirrur nga Kurti e Osmani.

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka thënë Krasniqi.

Lidhur me këto ftesa sot gjatë ditës është deklaruar edhe kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se nuk e din se kur LDK-ja është e gatshme për të marr pjesë në këso takime.

“LDK gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me mollotov, kur është dashur të bisedojmë. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit. por se kur LDK do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka thënë Mustafa për Kosovapress.

Ndërkohë VV-ja ftesë ka dërguar edhe në AAK.

Nga kjo e fundit ende nuk janë deklaruar nëse do të marrin pjesë apo jo në takimin e thirrur nga Kurti dhe Osmani.

Në ndërkohë dje Arlind Manxhuka nga Sekretariati për media në Vetëvendosje përmes një shkrimi në “Facebook”, ka publikuar letrat të cilat VV-ja ua ka dërguar partive politike; PDK, LDK dhe AAK.

Manxhuka gjithashtu njoftoi se letër ftese i është dërguar edhe subjekteve të komuniteteve.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti dhe e propozuara për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani, kanë ftuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajn, për një takim të hënën më 15 mars në ora 11:30.

Ndërkohë që një ftesë identik e ngjashme për takim i është dërguar edhe kryetarit të LDK-së i cili do të zgjidhet me 14 mars. Takimi me kryetarin e ri të LDK-së mund të ndodhë më 15 mars në ora 12:30.

Ndërsa me të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn, VV-ja planifikon të takohet në ditën e njejtë në ora 13:30.

Në letër thuhet “I nderuar (kryetar), Barazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ’së.

Me qëllim që ky proces i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionit në fuqi, ftoheni për konsultim për hapat e mëtejmë në këtë proces. Propozojmë që takimi të mbahet në formatin 1+1, më 15 mars në orën –:– në sallën N-303 të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me respekt, Albin Kurti – Kandidat për kryeministër dhe Vjosa Osmani-Sadriu – Kandidate për Presidente”.

Kujtojmë që fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje me 49,95% të votave të përgjithshme, e pasuar nga PDK-ja me 16.90% të votave dhe e treta u rendit LDK-ja me 12.64% të votave.

AAK-ja në këto zgjedhje mori vetëm 7.07% të votave.

(Kosova Sot Online)