Reagon Pakistani, ‘zbutet’ Sri-Lanka: Ndalimi i burkës ishte thjesht një propozim

  • E.K /
  • 16 March 2021 - 15:39
 Reagon Pakistani, ‘zbutet’ Sri-Lanka: Ndalimi i burkës ishte thjesht një propozim

Sri-Lanka tha të martën se deklarata e një ministri të saj për ndalimin e burkës ka qenë thjesht një propozim, pas kritikave që erdhën nga aleatët rajonalë para një votimi jetik të Kombeve të Bashkuara rreth të drejtave të njeriut në shtetin ishull.

Ministri i Sri-Lankës për Siguri Publike, Sarath Weerasekera, tha të shtunën se vendi i tij përfundimisht do ta ndalojë mbulimin e tërësishëm të fytyrës, të cilin e praktikojnë disa gra myslimane, duke e përmendur si arsyetim sigurinë kombëtare.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Sri-Lankës tha të martën se ende nuk është marrë ndonjë vendim rreth atij që e përshkroi si “thjesht një propozim që është duke u diskutuar”, shkruan Reuters.

“Qeveria do të nisë një dialog më të gjerë me të gjitha palët e përfshira dhe do të merret koha e mjaftueshme për zhvillimin e konsultimeve të nevojshme dhe për arritjen e konsensusit”, thuhet në deklaratën e kësaj ministrie.

Deklarata erdhi pas kritikave të ambasadorit të Pakistanit në Sri-Lankë, Saad Kattak, i cili të hënën tha se ndalimi i burkës do të shërbejë vetëm si lëndim për ndjenjat e myslimanëve të rëndomtë në Sri-Lankë dhe për myslimanët në mbarë botën.

Ahmed Shaheed, diplomat që tash për tash është duke shërbyer si raportues i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Lirinë e Fesë apo Besimit, tha se ndalimi i burkës nuk është në përputhje me ligjet ndërkombëtare që i mbrojnë liritë fetare dhe lirinë e të shprehurit.

Disa shtete me shumicë myslimane, përfshirë Pakistanin dhe Bangladeshin, janë në mesin e 47 vendeve që do të votojnë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Sri-Lankë javën e ardhshme në Gjenevë.

Nëse miratohet rezoluta e OKB-së kundër Sri-Lankës, mund të lejohet ndjekja penale e zyrtarëve qeveritarë dhe ushtarakë që kanë qenë të përfshirë në përfundimin e luftës së gjatë civile në vitin 2009.

(Kosova Sot Online)