Në Angli arrin edhe varianti filipinas i koronavirusit

  • E.K /
  • 17 March 2021 - 09:41
 Në Angli arrin edhe varianti filipinas i koronavirusit

Autoritetet shëndetësore në Angli kanë identifikuar dy raste të personave të infektuar me një variant tjetër të ri të koronavirusit, që së pari u shënua në Filipine.

Sektori publik shëndetësor njoftoi se ky variant ka numër të konsiderueshëm të mutacioneve, përfshirë proteinën E484K, që gjendet në variantin brazilian të koronavirusit, shkruan The Guardian.

Ekspertët kanë ngritur shqetësime se vaksinat mund të mos jenë efektive kundër kësaj proteine të virusit. Varianti i ri është cilësuar si variant nën hetim e jo si variant shqetësues, siç vlerësohet varianti brazilian.

Për herë të parë, ky variant u raportua në Filipine, ku me të janë infektuar 33 persona.

Sipas autoriteteve angleze, njëri nga rastet e regjistruara në Angli me këtë variant është i lidhur me udhëtimet ndërkombëtare, ndërsa rasti tjetër është ende duke u hetuar, por nuk u theksua vendi i saktë ku janë shënuar këto raste.

Varianti filipinas është emërtuar VUI-21MAR-02. Ky zbulim nënkupton se tashmë ekzistojnë gjashtë variante të virusit nën hetime dhe katër variante shqetësuese në Britani të Madhe.

Organet shtetërore po i shtojnë kapacitetet e testimit për ta luftuar përhapjen e mëtejme të variante të reja. Ditëve të fundit në Angli u shënuan edhe dy raste të reja të variantit brazilian, njëri prej tyre në Londër.

(Kosova Sot Online)