Çelaj: Kërkova dorëheqjen e Kryesisë, dikush duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor të PDK’së

  • A.P /
  • 17 March 2021 - 23:25
Çelaj: Kërkova dorëheqjen e Kryesisë, dikush duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor të PDK’së

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të PDK-së, dy anëtarët e kësaj partie kanë kërkuar dorëheqjen e kryesisë.

Lirak Çelaj dhe Xhevahire Izmaku kanë kërkuar që dikush të marrë përgjegjësi pas rezultatit zgjedhor të 14 shkurtit. Pas përfundimit të mbledhjes, Lirak Çelaj tha se u tentua që të manipulohej gjatë procesit të votimit.

“U mundua që të manipulohet nga kryesia në mënyrën se si do të qitej në votim. Edhe nuk pat kuorum, por edhe u mundua që të manipulohet në Këshillin Drejtues për këtë çështje. Konsideroj që kjo formë është jo-legjitime se si do të paraqitet… e para nuk u konstatua kuorumi, e dyta konsideroj që kryesia nuk ka të drejtë të votojë për votë-besim për vetveten. I ngrita disa çështje të tilla”, ka deklaruar ai.

Çelaj po ashtu ka bërë të ditur se kryesia ka tentuar të manipulojë me mënyrën e votimit, për çka ka kërkuar tërheqjen e kësaj kërkese.

“Thjesht reflektim të ketë dikush dhe të marrë përgjegjësinë për këtë rezultat kaq të dobët. Kam kërkuar dorëheqjen e kryesisë së partisë… në këtë formë se si deshi të manipulohej ky proces unë e tërhoqa kërkesën”, tha ai.

Ndryshe, PDK në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit doli e dyta, por shënoi rënie prej rreth 40 mijë votave krahasuar me zgjedhjet 2019.


(Kosova Sot Online)