Shefi i OKB-së citon Kuranin, thotë se urrejtja ndaj myslimanëve është shtuar

  • E.K /
  • 18 March 2021 - 12:23
 Shefi i OKB-së citon Kuranin, thotë se urrejtja ndaj myslimanëve është shtuar

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të mërkurën se urrejtja dhe diskriminimi kundër myslimanëve është rritur në përmasa epidemike.

Sipas shefit të njërës prej organizatave më me ndikim në botë, qëndrimet anti-islame janë pjesë e një ndryshimi më të gjerë global si afrim drejt nacionalizmit dhe largim nga të drejtat e pakicave, shkruan Anadolu.

“Rishfaqja e fanatizmit anti-islamik është lartazi në linjë me trendet tjera shqetësuese që po i shohim në nivel global: ringjallja e etno-nacionalizmit, neo-nazizmit, stigmave dhe gjuhës së urrejtjes që për cak kanë popullsitë e ndjeshme, përfshirë myslimanët, çifutët, disa komunitetet të krishtera pakicë dhe të tjerë”, tha Guterres në një organizim të Kombeve të Bashkuara për shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë.

“Komunitetet pakicë janë pjesë e pasurisë së strukturës sonë kulturore dhe shoqërore, por përsëri po shohim jo vetëm forma të diskriminimit, por edhe politika të asimilimit që synojnë ta fshijnë identitetin kulturor dhe fetar të komuniteteve pakicë”, shtoi ai.

“Siç na kujton Kurani i shenjtë: popujt dhe fiset janë krijuar për t’u njohur me njëri-tjetrin. Larmia është pasuri, jo kërcënim”, tha më tej sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

Dita Ndërkombëtare Kundër Islamofobisë, që u shënua për herë të parë këtë vit, u organizua pas sulmeve të 15 marsit të vitit 2019, kur nga sulmi në dy xhami të Zelandës së Re 51 persona u vranë dhe 49 u plagosën. Sulmuesi, shtetas australian, është dënuar me burgim të përjetshëm pa të drejtë për të kërkuar lehtësim të dënimit.

(Kosova Sot Online)