Seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria tregon se çfarë ka bërë nga seanca e fundit

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 12:25
 Seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria tregon se çfarë ka bërë nga seanca e fundit

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca e radhës paragjyqësore ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në seancë po marrin pjesë në mënyrë elektronike edhe katër të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Fillimisht, gjykatësi Nicolas Guillou paraqiti agjendën e kësaj konference, ndërsa një prokurore e Zyrës së Prokrurit të Specializuar, tregoi të rejat e fundit lidhur me materialin akuzues dhe atë shfajësues. Ajo tha se nga seanca e fundit paragjyqësore, ata kanë nxjerrë edhe dy paketa me materiale.

“Pas konferencës së fundit, Prokuroria ka nxjerrë edhe dy paketa me materiale… Kemi depozituar një kërkesë tjetër për masa mbrojtëse ndaj këtyre materiale”, tha ajo.

Ndër çështjet që do të diskutohen në këtë seanca janë ecuria e hetimeve të Prokurorisë dhe mbrojtjes, parashtrimi i përgjigjeve ndaj mocioneve paraprake të dorëzuara paraprakisht dhe çështje të tjera që ngriten nga palët.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar nga ZPS-ja.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

(Kosova Sot Online)