Në Komitetin për Politikë dhe Financa në Mitrovicë aprovohet dhënia për shfrytëzimi e pronës së komunës nga FSK’ja

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 14:00
 Në Komitetin për Politikë dhe Financa në Mitrovicë aprovohet dhënia për shfrytëzimi e pronës së komunës nga FSK’ja

Sot është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit për Politikë dhe Financa e cila është thirrur nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, për të shqyrtuar dy pika me rëndësi të rendit të ditës.

Pikat e rendit të ditës për këtë mbledhje ishin; Propozim-vendimi për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (Regjimenti i tretë), pa procedura konkurrimi; dhe Propozim-vendimi për miratim paraprak të vendimit për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës personave fizikë/juridikë.

Kryetari Bahtiri lidhur me pikën për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës për Forcën e Sigurisë së Kosovës, tha se kjo pronë përfshin gjithsej 191 hektarë, dhe se është projekt madhor për të cilin është punuar 3 vite me udhëheqësit e divizioneve në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtar, me ç’ rast FSK-ja do të ndërtoj kazermën ushtarake në Kodrën e Cërrnushës e cila kap vlerën qindra milionë euro, dhe do të jetë baza ushtarake më moderne në Kosovë.

Me këtë rast, kryetari Bahtiri mori përkrahjen e plotë nga të gjithë anëtarët e KPF-së, që ta procedojnëë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës dhënien në shfrytëzim të pronës komunale prej 191 hektarë në kodër të Cërrnushës për ndërtimin e kazermës ushtarake të FSK-së, ku kjo pronë do të jetë pikë strategjike për sigurinë e Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim etnie apo nacionaliteti.

Të dy pikat e rendit të ditës u aprovuan në mënyrë unanime nga anëtaret e KPF-së, të cilat do të kalojnë për miratim në mbledhjen e radhës së kuvendit të datës 26.03.2021, ditë e premte, duke filluar nga ora 10.

(Kosova Sot Online)