Bombardimet e NATO-s kujtohen në seancën paragjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 13:49
 Bombardimet e NATO-s kujtohen në seancën paragjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së

22 vjetori i bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe për ta ndalur agresionin e Serbisë mbi Kosovën është kujtuar sot në seancën e radhës paragjyqësore ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përmendur këtë përvjetor, duke theksuar se Prokuroria s’ka dosje të fortë akuzuese për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

“Mua më çudit ajo që thotë prokurorja për hetimet. Së pari, çfarë nevoje ka për të bërë hetime në këtë fazë që jemi. Jemi këtu sot, është data 24 mars, 22 vjet mbasi NATO-ja bëri bombardimin për ta ndalur agresionin serb kundër Kosovës. 22 vjet më parë, dhe ja ku jemi sot, në vitin 2021 me një aktakuzë që ua kanë parashtruar deri në imtësi”, tha Hooper.

Ai më tej i bëri disa pyetje, përgjigjet e mundshme të të cilave tha se nuk i kupton.

“Çfarë nevoje ka që Prokuroria të bëjë hetime të mëtejshme? Më duket sikur këtë e bëjnë për të oërforcuar një dosje që nuk është aq e fortë. Tani si mund ta thonë që kjo nuk mund ta pengojë gjykatën në punën e saj. Si mund të thonë që kjo nuk do të ketë pasoja në datën kur do të fillojë gjykimi. Nuk e kuptoj”, tha Hooper.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar nga ZPS-ja.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

(Kosova Sot Online)