IHH-ja organizon protestë në Turqi kundër Ambasadës në Jerusalem

  • A.P /
  • 25 March 2021 - 17:38
IHH-ja organizon protestë në Turqi kundër Ambasadës në Jerusalem

Organizata e Ndihmës Humanitare (IHH) ka organizuar sot protestë në Ankara, kundër vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Një nga organizatorët e protestës ka pjesë të bordit Osman Atalay, i cili në Kosovë u bë i njohur nga raportet e mira që i ka me Kurtin. Sot edhe Erdogan i ka shkruar letër kryeministrit Kurti, për t’i kërkuar rishikimin e vendimit për ambasadën në Jerusalem.

Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan, në dy letrat e dërguara në drejtim të Albin Kurtit, ka kërkuar shqyrtimin e vendimit të hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem. Në letër, Erdogan shkruan, se meqë ka dëgjuar që edhe Kurti “është i shqetësuar” për çështjen e Ambasadës, atëherë konsideron se do të ishte me dobi për Qeverinë e Kosovës që të rishqyrtojë vendimin për Ambasadën.

Në kryeqytetin turk ndërkohë sot është organizuar edhe një protestë nga Organizata e Ndihmës Humanitare (IHH) kundër hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Kush është IHH dhe kush është pjesë e kësaj organizate

Kjo organizatë joqeveritare turke e themeluar në vitin 1995, derisa njeriu kryesor i kësaj organizate është Fehmi Bülent Yëldërëm. IHH ka shtritje të madhe në shumë shtete të botës, derisa aktiviteti i saj është i ndaluar në disa vende nën dyshimet për lidhje me Hamasin.

Në vitin 2008, Ministria e Mbrojtjes së Izraelit ia kishte ndaluar aktivitetin brenda shtetit, meqë kishin gjetur që e njëjta financohet nga fondet e Hamasit.

Pas këtij vendimi, vitin 2010, shteti i Izraelit të njëjtën organizatë e kishte vendosur nën vëzhgim nën dyshimet lidhur me terrorizëm, derisa në vitin 2012 e ka shpallur organizatë terroriste.

Veprimtarinë e IHH e ka ndaluar edhe Gjermania, meqë kishte gjetur se dega e kësaj organizate në Frankfurt kishte pasur lidhje me organizatën e Hamasit.

Organizata IHH,siç shkruan “Centre For American Progress”, ka lidhje edhe me partinë që udhëheq Reccep Tayip Erdogan, meqë shumë anëtarë të organizatës janë në pozitë udhëheqëse në AKP.

Osman Atalay si pjesë e Bordit të IHH-së

Pjesë e Bordit të kësaj organizate është edhe Osman Atalay, i cili njihet për afërsinë e tij me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje.

(Kosova Sot Online)