27-vjeçari nga Kosova dënohet me 10 vjet dëbim nga Zvicra

  • E.K /
  • 30 March 2021 - 09:33
 27-vjeçari nga Kosova dënohet me 10 vjet dëbim nga Zvicra

Një kosovar 27-vjeçar është dënuar për sulm fizik. Ai nuk arriti t`i shpëtonte gjykimit duke u përpjekur të paraqitej viktimë.

Ngjarja ka ndodhur në mars të vitit 2017 përpara një klubi të Lucernit, shkruan Luzerner Zeitung.

Pesë persona ishin të përfshirë në ngjarje. Shkas për zënkën kishte qenë një cigare hashish. Si pasojë, aty u zhvillua një konflikt fizik që u regjistrua edhe nga kamera e instaluar në lokal.

I pandehuri ka goditur njërin nga personat me shqelm në pjesën e pasme të kokës dhe në fytyrë.

Në seancën dëgjimore në  Gjykatën Penale të Lucernit shtator të vitit 2020, prokurori kishte kërkuar për të 18 muaj burg me kusht për veprën penale të sulmit fizik, me periudhë prove tre vjeçare. Përveç kësaj, kosovari i akuzuar duhej të dëbohej nga vendi për dymbëdhjetë vjet.

Paditësi privat gjithashtu ka kërkuar dëmshpërblim dhe kompensim të humbjes së fitimeve prej 90,000 franga, në favor të viktimës.

Mirëpo, i akuzuari e sheh veten si viktimë dhe kërkon pafajësi.

Dhjetë vjet dëbim nga vendi

Tani është në dispozicion gjykimi i gjykatës penale. Ky gjykim e konsideron të akuzuarin jo si viktimë, por si kryerës të veprës penale.

Kështu, gjykata në fjalë e ka dënuar 27-vjeçarin me 23 muaj burg me kusht me një periudhë prove prej dy vitesh dhe dhjetë vjet dëbim nga vendi, transmeton albinfo.ch. Në këtë dëbim përfshihet edhe futja e tij në sistemin e informacionit të zonës së Shengenit.

Ai po ashtu duhet të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe procedurale si dhe kompensimin e paditësit privat prej 11,000 frangash.

Në vendimin e saj, gjykata shkruan se i akuzuari duhet të kompensojë viktimën për 100 përqind të dëmit të shkaktuar. Por për këtë, viktima duhet t`i referohet gjykatësit civil për të përcaktuar shumën përkatëse të dëmit.

Avokati mbrojtës, nga ana tjetër nuk sheh ndonjë lidhje shkakësore midis paaftësisë së viktimës për punë dhe zënkës. Sipas tij janë sëmundjet e mëparshme shkaku i gjendjes aktuale të shëndetit të viktimës.

Por, Gjykata Penale e kundërshton këtë. Për këtë arsye, Gjykata Kantonale duhet të gjykojë përsëri çështjen.

(Kosova Sot Online)