SHSKUK arsyeton blerjen e ilaçeve dyfish më shtrenjtë, KDI thotë se janë humbur rreth 60 mijë euro

  • E.K /
  • 30 March 2021 - 15:40
 SHSKUK arsyeton blerjen e ilaçeve dyfish më shtrenjtë, KDI thotë se janë humbur rreth 60 mijë euro

Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar sot se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) më datën 28 dhjetor 2020 ka nënshkruar kontratë emergjente një burimore për furnizim me Heparin Natrium 20000 IU/mL, në ampula 1 m/L me kompaninë “Liri Med”. Sipas këtij instituti, SHSKUK është furnizuar me produkte me çmime dyfish më të larta, andaj edhe janë humbur rreth 60 mijë euro.

Për këtë ka reaguar mëherët Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, nga SHSKUK është thënë se kjo lëndë ka qenë e trajtuar tri herë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP) dhe pas dështimit, ata kanë qenë të detyruar të hapin procedurë të negociuar për furnizim, për të mos e rrezikuar jetën e pacientëve që kryejnë dializën.

“Sa i përket procedurës së rregullt, Operatori Ekonomik në procedurë ka bërë ankesë në OShP, me arsyetimin se është i vetmi  ofertues që e ka të regjistruar  produktin në Kosovë. OShP me datë 10.12.2020,  kishte  kthyer lëndën në rivlerësim. ShSKUK në fazën e rivlerësimit ka vërtetuar se ka tejkalime substanciale të buxhetit dhe sërish është anuluar tenderi. OShP, me datë 26.01.2021 përsëri e kishte kthyer lëndën në rivlerësim. ShSKUK në fazën e rivlerësimit ka marrë çmimet referente nga rajoni dhe ka vërtetuar se ka tejkalime  të buxhetit, sërish është anuluar tenderi”, thuhet nga SHSKUK.

Shkrimi i plotë:

Njoftim nga ShSKUK lidhur me furnizimin me Heparinë

Lidhur me publikimet për tenderin për furnizim me Heparinë, e cila është jetike për pacientët në dializë (asnjë dializë nuk mund të bëhet pa të), Shërbimi Spitalor  Klinik dhe  Universitar i Kosovës (ShSKUK), sqaron se ka shpallur tender me procedurë të hapur me datë 18.09.2020, ku pas vlerësimit profesionalë, ka shpallur fitues operatorin ekonomik, i cili ka ofertuar me çmimin me të lirë. 

Kjo lëndë ka qenë e trajtuar tri herë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OShP) dhe pas dështimit, ShSKUK ka qenë e detyruar të hapë procedurë të negociuar për furnizim, për të mos e rrezikuar jetën e pacientëve që kryejnë dializën.

Sa i përket procedurës së rregullt, Operatori Ekonomik në procedurë ka bërë ankesë në OShP, me arsyetimin se është i vetmi  ofertues që e ka të regjistruar  produktin në Kosovë.

OShP me datë 10.12.2020,  kishte  kthyer lëndën në rivlerësim.

ShSKUK në fazën e rivlerësimit ka vërtetuar se ka tejkalime substanciale të buxhetit dhe sërish është anuluar tenderi.

OShP, me datë 26.01.2021 përsëri e kishte kthyer lëndën në rivlerësim.

ShSKUK në fazën e rivlerësimit ka marrë çmimet referente nga rajoni dhe ka vërtetuar se ka tejkalime  të buxhetit, sërish është anuluar tenderi.

Sërish operatori bënë ankesë në OShP, ku me vendim të datës 24.03.2021, OShP e vërteton vendimin e Autoritetit Kontraktues- ShSKUK.

Pasi ka qenë e pamundur të lidhet kontratë me procedurë të hapur, ShSKUK ka iniciuar procedurë të negociuar në harmoni me Ligjin e Prokurimit Publik, për sasi të kufizuar të Heparinës, deri në lidhje të kontratës së rregullt.  

Ju sigurojmë se Sektori i Prokurimit në ShSKUK, ka respektuar në tërësi Ligjin e Prokurimit gjatë zhvillimit të kësaj procedure.

ShSKUK do të iniciojë  sërish procedurë të hapur për furnizim me këtë produkt, andaj ftojmë të gjitha  organet kompetente, organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile që merren me monitorim të proceseve të prokurimit, të monitorojnë këtë  procedurë të prokurimit, që nga inicimi i saj, deri në lidhjen e kontratës.

ShSKUK është  e përkushtuar të zbatojë në tërësi ligjet e aplikueshme në Kosovë, në të njëjtën kohë të bëjë furnizim të rregullt me produktet e nevojshme për pacientët.

(Kosova Sot Online)