A ishte kjo deklaratë e Abdixhikut kundërpërgjigje për Agim Veliun?

  • A.P /
  • 30 March 2021 - 16:20
A ishte kjo deklaratë e Abdixhikut kundërpërgjigje për Agim Veliun?

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, sot ka mbajtur një konferencë për media nga selia qendrore e partisë ku edhe ka treguar për vendimin final të Kryesisë për të marrë pjesë në votimin për presidentin, vendim ky që Abdixhiku pret të respektohet edhe nga deputetët e partisë.

Në fjalën e tij, Abdixhiku duket se i është përgjigjur edhe ish-nënkryetarit të partisë, Agim Veliut,i cili në një intervistë të para pak dite të dhënë, kishte konstatuar se ka qenë veprim i gabuar që LDK ka marrë mbi vete gjithë përgjegjësinë dhe barrën për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Sipas Veliut, LDK-ja si opozitë nuk e ka përgjegjësi që të japë zgjidhje për çështjet të cilat i takojnë pozitës.

“Edhe, është gabim i madh i udhëheqjes së LDK-së që e ka pru veten në këtë situatë që i gjithë presioni të bie mbi LDK-në për zgjidhjen e presidentit sepse LDK-ja është parti e tretë tash, është parti opozitare që nuk e ka përgjegjësinë Sigurisht ajo do të duhej të ishte temë e bisedës në tryeza të subjekteve politike, pozitë e opozitë në mënyrë që të ketë një pajtueshmëri për një kandidat cilido që ta merr mbështetjen e 2/3 ai zgjidhet, unë po them që do të ishte mirë që ta kemi një president me konsensus.”, kishte deklaruar Agim Veliu.

Kreu i LDK’së ka thënë sot se një qasje e tillë është e papranueshme, derisa shton se në politikë nuk ka hyrë për të marrë vendime të lehta, siç do të ishte ikja nga përgjegjësia.

“Në gjithë këtë kohë, kam parë e dëgjuar edhe zëra anësorë që sugjeronin se kjo punë s’është e LDK-së. Se gjëja e fundit që LDK duhet të bëjë është të brengoset për zgjedhjen e Presidentit. Që LDK, sikurse partitë tjera opozitare, duhet të qëndroj anash e në indiferencë e përfundimisht të zgjedhin obstruksionin si mjet të vetin politik. Sepse indiferenca e obstruksioni, disi, na sjellin një pazar më të mire”, ka potencuar Abdixhiku.

“Kam dëgjuar zëra që gjithë politikën e shohin si llogaritje hesapesh; se kush dëmtohet më rëndë e kush më lehtë; se kush fajësohet më shumë e kush më pak; se kush tregton më mirë e kush nxjerr një copë pushteti më lartë.Këtë frymë s’mund ta pranoj.

Ikja nga përgjegjësia, është zgjidhja më e lehtë për secilin politikan. Por në politikë, as unë e as LDK e as kolegët e mi, s’jemi për të marrë vendime të lehta. Në politikë jemi për të dhënë zgjidhje; edhe kur ato duken të vështira edhe kur ato duken të paarritshme. Këtë kulturë e këtë frymë e mbajmë si trashëgimi të aktivitetit tonë politik 31 vjeçar”, ka theksuar ndër të tjera.

Mbetet të shihet rruga që do të ndjekin deputetët e LDK’së pas vendimit të Kryesisë. Abdixhiku ka treguar se pritetjet e tij janë që ata të respektojnë vendimin e partisë.

(Kosova Sot Online)