Derisa Kosova po ‘arnohet” me vetëm 24 mijë vaksina, në Shqipëri vaksinimi shkon në 20 mijë brenda ditës

  • E.K /
  • 31 March 2021 - 14:05
 Derisa Kosova po ‘arnohet” me vetëm 24 mijë vaksina, në Shqipëri vaksinimi shkon në 20 mijë brenda ditës

Për dallim nga shtetet tjera të cilat tashmë një kohë të gjatë janë furnizuar me vaksinat Anti-COVID, Kosova po “arnohet” me 24 mijë doza të ardhura nga COVAX të dielën. Nga ky furnizim, vendi synon të jap vetëm nga një dozë të vaksinës për punëtorët shëndetësorë, për personat mbi 80 vjeç dhe personave me sëmundje kronike. Në mungesë të vaksinave shtesë, doza e dytë do t’u jepet këtyre personave në furnizimin e ardhshëm.

Derisa Shqipëria po vaksinon deri në 20 mijë persona brenda ditës, Kosova si një ndër shtetet e fundit të furnizuara, ka në dispozicion vetëm 24 mijë vaksina Anti-COVID.Nga këto vaksina vendi po synon të mos ruaj as edhe një dozë, kësisoj të vaksinoj 24 mijë persona.

Ndërsa, dhënia e dozës së dytë e cila vlerësohet se rrit nivelin e antitrupave dhe zgjatë kohëzgjatjen e mbrojtjes nga virusi, do të mbetet në fatin e furnizimit të ardhshëm.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka bërë të ditur se doza e dytë do t’i jepet qytetarëve në muajin qershor.

Ai ka theksuar se doza e dytë e vaksinës AstraZeneca merret 4 deri në 12 javë pas dozës së parë.

“24 mija doza janë për 24 mijë persona. Ata që marrin dozën e parë tani, dozën e dytë e marrin në qershor. Te AstraZeneca, doza e dytë merret 4-12 javë pas dozës se parë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë të ditur dje se nga COVAX i është konfirmuar se deri në qershor Kosova do të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 vaksina Anti-COVID të Pfizer-BioNTech.

Megjithatë, në krahasim me shtetet tjera të cilat tashmë kanë vaksinuar qindra mijëra persona, e disa edhe miliona qytetarë, Kosova ka mbetur larg vaksinimit. Në Shqipëri numri i të vaksinuarve ka shkuar në 20 mijë brenda ditës, derisa kreu i Qeverisë shqiptare ka parlajmëuar që do të bëjnë përpjekje të arrijnë në 30 mijë vaksinime brenda ditës.

Edhe vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut e Serbia, qëndrojnë shumë më mirë me vaksinimin.

Në kohën kur vendi po regjistron qindra raste të infektuara me këtë virus e dhjetëra viktima, furnizimi me 24 mijë vaksina është vlerësuar i pamjaftueshëm në ecurinë e pandemisë COVID-19.

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë për Express se për të parandaluar përhapjen e këtij virusi dhe për ta menaxhuar gjendjen me pandeminë vendi duhet të furnizohet me së paku 500-600 mijë doza të vaksinës.

Ai ka thënë se furnizimi me këto vaksina do të jetë test për të parë se sa është sistemi i vaksinimit funksional në vend për ta kryer imunizimin e popullatës në shkallë të gjerë.

“Sasia e vaksinave është e kufizuar për të pasur ndikim në ecurinë e pandemisë. Është mirë, sepse do të vaksinohen 12 mijë persona dhe ata do të jenë të mbrojtur nga infeksioni. Ky gjithashtu do të jetë test edhe për të parë se sa është sistemi i vaksinimit funksional për ta kryer imunizimin e popullatës në shkallë të gjerë. E thënë shkurt, nëse kjo sasi e vaksinave nuk pasohet me porosi të tjera shumëfish më të mëdha dhe atë brenda periudhës sa më të shkurtër, atëherë kjo sasi nuk do të ketë asnjë ndikim në ecurinë e përgjithshme të pandemisë”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë që me të ardhur furnizimi me vaksina, interesimi i punëtorëve shëndetësorë dhe i të moshuarve për t’u vaksinuar me to ka qenë shumë i madh.

Vaksinimi i qytetarëve po vazhdon edhe më tej në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa nga nesër pritet të fillojë edhe në komunat tjera në vend.

(Kosova Sot Online)