LDK: S’është faji i tre deputetëve tanë nëse dështon zgjedhja e Presidentit

  • A.P /
  • 04 April 2021 - 10:07
LDK: S’është faji i tre deputetëve tanë nëse dështon zgjedhja e Presidentit

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë se faji për dështimin e mundshëm të zgjedhjes së presidentit nuk është i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanajt.

Rugova ka pyetur se a ka dikush guxim të merret edhe me deputetët e partive tjera opozitare që nuk po marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Rugova i ka kërkuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që t’u dalë në mbrojtje tre deputetëve të LDK-së që nuk morën pjesë në procesin e votimit për president.

“Patjetër që duhet siguruar kuorumin në seancën për zgjedhjen e Presidentit, kjo gjë është obligim kushtetues por edhe politik, por nuk guxojmë të sillemi sikur Kuvendi i ka vetëm 82 deputetë dhe faji për dështim qenka i tre deputetëve nga LDK-ja. Ku janë deputetët e tjerë? Apo askush nga partia në pushtet nuk ka guxim të merret me deputetët e PDK-së dhe të AAK-së që mungojnë në seancë?Lumir, si kryetar i LDK-së, është përgjegjësi e jotja që të mbrosh deputetët e tu sepse kështu e mbron edhe LDK-në!”, ka shkruar Rugova.

Pozita dje dështoi ta zgjedhë Vjosa Osmanin presidente të Kosovës. Në raundin e parë të votimit, i cili u përsërit dy herë, Osmani nuk arriti që t’i bëjë 80 vota në kuti. Një seancë tjetër për zgjedhjen e saj në pozitën e shefes së shtetit është caktuar sot në orën 17:00.

(Kosova Sot Online)