Bertoncelj në takim me Kurtin: Gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, Ballkani do të jetë ndër prioritetet e Sllovenisë

  • A.P /
  • 12 April 2021 - 16:53
Bertoncelj në takim me Kurtin: Gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, Ballkani do të jetë ndër prioritetet e Sllovenisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj. Ambasadori ia dorëzoi Kryeministrit personalisht letrën e urimit nga Presidenti i Sllovenisë, Janez Jansha, dhe uroi kryeministrin për mandatin e fituar.

Me këtë rast  Bertoncelj theksoi se gjatë presidencës së ardhshme të BE-së, që fillon në korrik, një ndër prioritetet e Sllovenisë do të jetë Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, dhe se Sllovenia do të mbështesë Republikën e Kosovës në synimet e saj për integrim euro-atlantik.

“Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin duke çmuar lart angazhimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë. Ai theksoi se Sllovenia përveçse vend mik është edhe partner strategjik i Kosovës. Duke folur për procesin e integrimit evropian, Kryeministri vlerësoi faktin që Sllovenia do të udhëheqë me presidencën e BE-së dhe mirëpret vullnetin për angazhimin e Sllovenisë lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media.

Poashtu u shtua se përkushtimi për thellim të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe zhvillimor mes Kosovës dhe Sllovenisë është i dyanshëm.

(Kosova Sot Online)