Shqiptarët të gatshëm që të mbrojnë Manastirin e Deçanit

  • A.P /
  • 12 April 2021 - 23:31
Shqiptarët të gatshëm që të mbrojnë Manastirin e Deçanit

“Europa Nostra” e fut në shtatë monumentet më të rrezikuara Manastirin e Deçanit, kjo kontestohet nga banorët

Ky Manastir është objekti më i rëndësishëm, kulturor, historik e fetar në Deçan.

Madje veçantia e tij shkon përtej kësaj komune, ky monument është pjesë  e çmuar e trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës.

Njësoj e jashtëzakonshme është edhe zona përreth tij, poashtu e mbrojtur.

Por ky monument që rrethohet nga bjeshkët e larta e lumbardhi  i Pejës po shihet si një nder objektet e trashëgimisë kulturore më të rrezikuara në Evropë.

Organizata “Europa Nostra” e ka futur Manastirin e Deçanit në listën finale si një ndër shtatë monumentet më rrezikuara.

Megjithatë banorët këtu po i kontestojnë këto qëndrime.

Xhevdet Cacaj, që i ka kaluar gjashtë dekada të jetës së tij në Deçan thotë që ai bashkë me banorët këtu e kanë mbrojtur dhe do vazhdojnë të mbrojnë këtë monument.

Edhe Gëzim Qorraj tregon afërsinë që e kanë me këtë Manastir.

Manastiri gjatë tërë kohës ruhet nga trupat e KFOR-it.

Patrullimet e tyre janë të shpeshta edhe përreth gjithë këtij objekti.

E Adem Lushaj, nga shoqëria civile në Deçan thekson që asnjëherë nuk ka pasur incidente në këtë manastir.

Madje ai e fajëson kreun e këtij manastiri, Sava Janjiç për inskenime të disa rasteve.

Por për këtë ccështje e të tjerat që lidhen me manastirin nuk pranuan të deklarohen ata që qëndrojnë brenda tij.

E ata që flasin me admirim për të, ishin banorë të Decanit e turistë të shumtë që u panë të dielën.

Edhe ujin që buron pranë e konsiderojnë shërues.

E ky manastir që është një ndër monumentet më të ruajtura mesjetarë në Evropë është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Për vlerat që përmban ky objekt e për nivelin e lartë të sigurisë janë deklaruar edhe institucionet e Kosovës në letra që i kanë dërguar Europa Nostrës.

Të hënën për këtë temë nuk ka folur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ani pse televizioni merr vesh që këto ditë do mbahet një takim mes tij, ministrit të kulturës, kryeministrit e ambasadave për të diskutuar këtë çështje.

Nderkohë ditë më herët Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani i kanë dërguar një letër Organizatës Europa Nostra lidhur me nominimin e Manastirit të Deçanit për programin Shtatë monumentet më të rrezikuara evropiane.

Osmani e Kurti përmes një letre të gjatë kanë shpalosur argumentet e tyre se pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.


(Kosova Sot Online)