PDK-ja: Prokuroria të hetojë edhe Haskukën pas skandalit me tenderin 1.4 milion euro të Komunës së Prizrenit

  • E.K /
  • 17 April 2021 - 11:44
 PDK-ja: Prokuroria të hetojë edhe Haskukën pas skandalit me tenderin 1.4 milion euro të Komunës së Prizrenit

Kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, njëherësh nënkryetari i partisë, Shaqir Totaj ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me arrestimet e fundit në Prizren dhe largimin e të gjitha partive politike opozitare nga selitë e tyre në këtë komunë.

Totaj ka kërkuar nga prokuroria të hetojë edhe kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pas skandalit me tenderin 1.4 milion euro të Komunës Prizrenit nën dyshimet e aplikimit me dokumente të rrejshme, ku u arrestuan disa persona pas publikimit të një raporti të organizatës joqeveritare “AVONET”.

Sipas Totajt, parulla me “Mytën do ta mbysim korrupsionin” është shndërruar në parullën “Myta është mbytur në korrupsion”.

“Ky skandal i madh nuk duhet të kalojë pa përgjejgjësi politike. Ne jemi të bindur se në këtë skandal korruptiv është i përfshirë edhe vetë Haskuka dhe personat e afërt me të, prandaj apelojmë tek organet e shtetit që të zgjerojnë pistën e hetimeve duke përfshirë kryetarin Haskuka, drejtorin Osman Krasniqi, ish-drejtorin Levent Kasemi dhe shefin e prokurorimit.”, ka thënë ai.

Totaj është shprehur se pushteti i korruptuar i udhëhequr nga Mytaher Haskuka dhe motivuar nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje po synon ta frikësojë opozitën, ta indimidojë, t’ia mbyllë gojën dhe t’ia pamundësoj veprimtarinë e saj politike në shërbim dhe interes të qytetarëve të Prizrenit, duke i larguar partitë opozitare nga selitë e tyre me qëllim që ata të heshtin karshi abuzimeve e aferave korruptive në Komunën e Prizrenit.

Deklarata e plotë e Shaqir Totajt:

Zonja dhe zotërinjë,

Këtë konferencë është hera e parë që e organizojmë jashtë rrethojave dhe hapësirës së selisë tonë të partisë që ndodhet prapa nesh.

Në mënyrë të padrejtë dhe të motivuar nga Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë – komuna e Prizrenit me në krye Mytaher Haskukën filloi përndjekjen e opozitës në Prizren duke i larguar nga selitë e tyre të gjitha partitë politike, të cilat i kanë shfrytëzuar objekteve konform ligjeve në fuqi.

Ky pushtet i korruptuar Haskuka + Vetëvendosje po synon ta frikësoj opozitën, ta indimidoj, t’ia mbyll gojën dhe t’ia pamundësoj veprimtarinë e saj politike në shërbim dhe interes të qytetarëve të komunës tonë.

Ky kryetar i dështuar  dhe i kapur nga një grusht njerëzish është shndërruar në fatkeqësi të qytetit tonë. Ai në vend se të punoj në të mirë të qytetarëve, t’i çliroj shumë prona komunale nga uzurpatorët, t’i largoj drejtorët me aktakuza, ka zgjedhur përndjekjen ndaj opozitës.

Sepse për muaj të tërë ai kishte vetëm një qëllim: që ne të heshtim dhe të mos flasim ndaj abuzimeve të tij. Pra duke na kërcënuar me zyrat ai synonte ta blej heshtjen tonë.

Megjithatë, dua ti siguroj qytetarët e Prizrenit, të gjithë përkrahësit dhe votuesit e PDK-së se ne nuk ja kemi frikën, nuk mund të heshtim përball këtyre abuzimeve e aferave korruptive të përditshme, dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë publike çdo ditë.

Të dashur qytetarë,

Korrupsioni, keqqeverisja, keqpërdorimet dhe dështimet kanë tejkauar tashmë përmasat e qytetit të Prizrenit dhe sot për to flitet kudo – në cdo familje, shtëpi, lagje, fshat e qytet të Kosovës.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Lëvizje Vetëvendosje janë kampion të korrupsionit dhe dështimit në nivel të Kosovës.

Keqpërdorimi i parasë publike; dhënia e tenderëve pa kritere e të shoqëruar me dyshime për korrupsion; drejtorë e zyrtarë me aktakuza – fatkeqësisht janë modeli më i keq që i ka ndodhur komunës tonë të dashur.

Ky pushtet i zhytur në korrupsion – është modeli më i keq i qeverisjes së Vetendosjes që iu ofrua qytetarëve të Prizrenit në këto tre vite. E kam frikën se shpejt do ta përjetojnë edhe qytetarët në krejt Kosovën.

Parulla me “Mytën do ta mbysim korrupsionin” është shndërruar në parullën “Myta është mbytur në korrupsion”.

Vetëm në këtë javë, drejtoreshës për arsim të Komunës së Prizrenit iu ngritë aktakuzë ndërsa u arrestuan disa persona për një tender të komunës në vlerë prej 1.4 milionë euro nën dyshimet e aplikimit me dokumente të rrejshme.

Ishte organizata joqeveritare “AVONET” e cila ditë më parë  publikoi një raport në të cilin flitej se si Komuna e Prizrenit e kishte dhënë një tender në vlerë prej 1 milion e 394 mijë e 853 euro e 90 centë një operatori ekonomik i cili kishte aplikuar me dokumente të rrejshme.

Disa ditë pas këtij denoncimit dhe falë raportimit të gjerë të mediave, u vu në lëvizje Prokuroria e Prizrenit duke njoftuar se ka ndaluar dhe arrestuar pronarët e dy kompanieve – ndërsa lista e dyshimeve është edhe më e madhe.

Unë si kryetar dhe dega e PDK-së në Prizren falenderon të gjitha mediat, organizatën dhe prokurorinë e shtetit që vepruan dhe ndaluan abuzimin e taksave të qytetarëve.

Por ky skandal i madh nuk duhet të kaloj pa përgjejgjësi politike. Ne jemi të bindur se në këtë skandal korruptiv është i përfshirë edhe vetë Haskuka dhe personat e afërt me të, prandaj apelojmë tek organet e shtetit që të zgjerojnë pistën e hetimeve duke përfshirë kryetarin Haskuka, drejtorin Osman Krasniqi, ish-drejtorin Levent Kasemi dhe shefin e prokurorimit. 

Po ashtu, shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë njerëzit e mirë të këtij qyteti, zyrtarët e ndershëm komunal e gazetarët që të mos i nënshtrohen pushtetit të korruptuar të Vetendosjes dhe pinjollit të saj, Mytaher Haskuka. Por ta denoncojnë atë çdo ditë.

Ne si PDK nuk do të heshtim dhe nuk do të ndalemi –  edhe pse nga dita e djeshme jemi nxjerrë në rrugë nga zyrat.

Sepse ne jemi të bindur që qytetarët do ta ndëshkojnë së shpejti Mytaher Haskukën dhe do ta nxjerrin nga zyra e tij me vota në vjeshtë të këtij viti.

(Kosova Sot Online)